Avokati Granit Sylaj, mbrojtës i të dyshuarit Braim Demiri nga fshati Demiraj i Gjilanit, ka folur për Radio Star lidhur me zhvillimet procedurale në rastin e rëndë që tronditi këtë fshat, ku humbën jetën dy persona.
Sylaj ka konfirmuar se ka marrë pjesë në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Ai ka bërë të ditur se klienti i tij nuk e pranon veprën penale për të cilën dyshohet, ndërsa ka theksuar se pas pranimit të vendimit të gjykatës do të shqyrtojë hapat e mëtejmë proceduralë.
Prononcimi i plotë i avokatit Granit Sylaj për Radio Star:
“Ju njoftoj se kam prezantuar në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit, pasi që Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit kundër të mbrojturit tim, Braim Demiri.
I mbrojturi im veprën penale për të cilën dyshohet nga Prokuroria Themelore nuk e ka pranuar, duke u mbrojtur se nuk është kryerës i veprës penale.
Pas pranimit të vendimit nga Gjykata për caktimin e paraburgimit, do ta vlerësojmë vendimin e marrë dhe hapat e tjerë të nevojshëm proceduralë, të bazuar në dispozitat e KPP-së.
Për detaje të tjera, rasti është në fazën e hetimeve dhe, varësisht nga rrjedha e procedurës, mund të deklarohemi.”/Radio Star/










