Kandidati për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Sali Salihi, ka ftuar kundërkandidatët e tij në një debat publik televiziv, me qëllim që qytetarët të informohen më shumë rreth programeve dhe synimeve të secilit kandidat.
Në një ftesë publike, Salihi ka theksuar se fushata parazgjedhore ka qenë e shkurtër dhe se kandidatët nuk kanë pasur mundësi t’i vizitojnë të gjitha vendbanimet shqiptare për të prezantuar programet e tyre.
Ai propozon që debati të organizohet në njërin prej televizioneve shqiptare në Bujanoc, Preshevë apo Kosovë, duke lënë në dispozicion të kundërkandidatëve përzgjedhjen e televizionit dhe kohës së mbajtjes.
Salihi ka bërë të ditur se në këtë debat do të mund të diskutohen çështje me rëndësi për shqiptarët, si arsimi, kultura, informimi, ruajtja e traditave kombëtare, si dhe përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip.
Në fund të ftesës së tij, Salihi ka theksuar se është i gatshëm të marrë pjesë në debat, duke ua lënë kundërkandidatëve përcaktimin e kohës dhe televizionit ku do të zhvillohet ai.










