Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Bujar Nevzati, ka reaguar kundër mbylljes së ambulantës në fshatin Kishnapole, e cila për më shumë se 70 vjet ka ofruar shërbime shëndetësore për banorët e kësaj ane.
Nevzati e ka cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe të dëmshëm për qytetarët e disa vendbanimeve, të cilët tashmë do të detyrohen të udhëtojnë rreth 12 kilometra për të marrë shërbime të kujdesit primar shëndetësor.
Ai kërkon nga institucionet komunale që të tërheqin vendimin dhe ta rikthejnë ambulantën në funksion.
Më poshtë, reagimi i plotë i Bujar Nevzatit:
PAS MË SHUMË SE 70 VJETËSH, MBYLLET AMBULANTA E KISHNAPOLES!
Është e papranueshme dhe e turpshme që pas më shumë se 70 vjetësh shërbimi, ambulanta e Kishnapoles të mbyllet me një vendim të tillë, pa marrë parasysh nevojat dhe hallet e qytetarëve.
Nga dje, kanë mbetur pa shërbime shëndetësore banorët e Kishnapoles, Gadishit, Sllakocit të Epërm dhe të Poshtëm, Verbicës e Zhegocit, të cilët për të marrë kujdesin primar shëndetësor do të detyrohen të udhëtojnë rreth 12 kilometra deri në Bresalc.
Këta banorë, të cilët edhe ashtu përballen me largësi dhe kushte të rënda sociale e ekonomike, tani po privohen edhe nga kujdesi themelor shëndetësor, ndonëse ambulanta deri dje ka qenë e hapur çdo ditë aty për ta.
Në vend që kjo udhëheqje komunale t’ua lehtësojë jetën dhe t’i mbështesë banorët e këtyre vendbanimeve malore, ajo po ua vështirëson edhe më shumë jetën, duke i shtyrë drejt braktisjes së vendlindjeve dhe shpërnguljes në Gjilan, ku rrezikojnë të bëhen raste sociale.
Dhe ironia bëhet edhe më e madhe kur dihet se në QKMF-në e Gjilanit ka punëtorë të tepërt, ndërsa për këta banorë nuk po gjendet një zgjidhje për ta mbajtur një mjek dhe një motër ndimëse në ambulantën e tyre. Pra, nuk është çështje mungese kuadri, por çështje e mungesës së vullnetit dhe e menaxhimit të gabuar të shërbimeve shëndetësore.
A është kjo politika e zhvillimit të barabartë të Komunës së Gjilanit? A është ky kujdesi që duhet të tregojë një qeverisje ndaj qytetarëve të saj?
Shëndetësia nuk është luks, por e drejtë themelore e çdo qytetari!
Kërkojmë tërheqjen e këtij vendimi dhe rikthimin e ambulantës në funksion.
70 vjet shërbim nuk mund të fshihen me një vendim administrativ! Shëndetësia nuk mbyllet, shëndetësia duhet të afrohet te qytetari!
Mos i braktisni banorët e malësisë! Mos ua mbyllni dyert e shërbimeve shëndetësore atyre që kanë më së shumti nevojë për to!










