Të hënë (17 shtator) do të rinisë aplikimi i taksës rrugore në autostradën ‘Rruga e Kombit’. Me këtë rast, qytetarët e Kosovës do të paguajnë 5 euro për një drejtim në kalim për në Shqipëri.
Kjo taksë do të këtë pasoja jo vetëm për xhepin e qytetarëve të cilët për çdo kalim në këtë rrugë do të paguajnë, por edhe për bizneset.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi për Indeksonline thotë se taksa e Qeverisë Rama është goditje për integrimin ekonomik të dy vendeve.
“Taksa e vendosur nga Qeveria Rama është një goditje për integrimin ekonomik të dy vendeve. E ndërtuar nga ish-kryeministri Berisha me dedikim për përafrimin ndërmjet dy vendeve dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, me këtë takse do të frenohen shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve dhe do të përfitojnë ekonomitë e vendet fqinje”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se me lehtë eksportuesit kosovarë eksportojnë mallrat e tyre në Zvicër sesa në Shqipëri, duke theksuar se për një rrugë të ngjashme në Maqedoni paguhet 1 euro.
“Për një rrugë të ngjashme në Maqedoni paguhet 1 euro, ndërsa qeveria Rama po ngarkon barrën fiskale për shqiptarët e Kosovës në interes të oligarkëve të tij. Diskursi publik i Ramës është tipik demagogjik, ndërsa në fakt gjatë qeverisjes së tij ka pas pengesa burokratike ku është pamundësuar eksporti i prodhimeve kosovare në Shqipër. Është botërisht e ditur se më lehtë eksportuesit kosovarë eksportojnë mallrat e tyre në Zvicër sesa në Shqipëri”, ka shtuari.
Në anën tjetër, Lulëzim Beiqir, njohës i ekonomisë thotë se taksa rrugore do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në Kosovë që vinë nga ana tjetër e kufirit.
Beqiri thekson se kjo taksë është shumë e lartë për bizneset.
“Taksa rrugore e cila është planifikuar të vihet këto ditë nga ana e Republikës së Shqipërisë ka ngritur shqetësime të mëdha nga qytetaret e Kosovës, gjithashtu edhe bizneset kosovare kanë edhe një barrierë shtesë në operimin e tyre. Fillimi i aplikimit të taksës rrugore nga ana e Shqipërisë do të ndikojë dukshëm në rritjen e çmimeve në Kosovë, sidomos për produktet që vijnë nga ana tjetër e kufirit, çmimi është jashtëzakonisht i lartë për bizneset kosovare dhe mendoj se duhet të rishikohet tarifa edhe një herë, sepse bizneset e të dyja vendeve kanë nevojë për lehtësira jo për barrier”, ka thënë mes të tjerash Beqiri.
Ai ka shtuar se rritja e eksporteve ndërmjet dy vendeve do në ndikonte në ngritjen e produktivitetit të kompanive.
“Për vendet e vogla si Shqipëria dhe Kosova, promovimi i eksporteve është tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, gjë që reflektohet në krijim të vendeve të punës dhe mbi të gjitha në rritje ekonomike. Rritja e eksporteve ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e produktivitetit të kompanive dhe njëkohësisht është një shtytës shumë i mirë i krijimit të mundësive për specializim dhe ngritje të kualitetit të produkteve të ofruara”, ka shtuar ai.
Edhe Shoqata e Naftarëve të Kosovës ka reaguar për taksën rrugore të vënë nga Shqipëria.
Kryetari i Shoqatës se Naftarëve, Fadil Berjani për Indeksonline ka thënë se kjo taksë do të ngritë çmimin e derivateve në Kosovë, kjo pasi naftarët nga Shqipëria që furnizojnë me naftë, do tu bie të paguajnë taksë rrugore për çdo maunë qe hynë në vend.
“Sa i përket tarifave rrugore ne shoqata e naftarëve jemi për pagesë, takes, po çmimi të jetë i arsyshëm. Dihet se naftarët e shfrytëzojnë shumë rrugën e kombit se furnizimi i derivateve bëhen nga Shqipëria & Durrësi,ka kompani që në ditë i bie që të paguaj taksë rrugore deri në 300 € dhe kjo është e papranushme dhe taksë shumë e lartë. Kjo është ni kosto shtesë për importin e derivateve ku kjo kosto i shtohet transportit dhe është krejt normale qe e rritë çmimin e derivateve. Unë mendoj se kryeministri Rama të na bëjë çmimore të njëjtë si të qytetarëve të Kuksit për shfrytëzimin e autostradës”, ka thënë Berjani.
Në anën tjetër, vënia e taksës ka alarmuar edhe bizneset në vend. Kryetari i Aleancës Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, Agim Shahini, është shprehur se taksa që do zbatohet nga e hëna është gjobë edhe për bizneset që importojnë dhe eksportojnë.
“Tashmë kjo do të kalkulohet në çmimet dhe shërbimet. Kjo taksë duhet që të jetë, por ajo taksë duhet që të krahasohet me vendet e regjionit. Ngase krahasuar me regjionin për 60 km autostradë është një nga më të lartat në regjion, ngase një transportues do të paguajë nga 3000 lekë të reja, kurse makinat e kosovarëve në dy drejtime do të paguajnë nga 10 euro “, ka thënë Shahini.
Ndryshe, është paralajmëruar protestë nga qytetarët e Kuksit ditën e hënë.