Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me gjeneralmajorin Christian Nawrat, zëvendëskomandant për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).
Takimi u zhvillua në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Berlin (BSC). Sipas Maqedoncit, gjatë takimit u diskutua për prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, me fokus në planin strategjik katërvjeçar, zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse dhe nismën ligjore për krijimin e Zonës së Industrisë së Mbrojtjes.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe angazhimit të Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5), si hap drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në strukturat euroatlantike të sigurisë.
Maqedonci theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët, në funksion të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimit të sigurisë rajonale.
Gjeneralmajor Nawrat ka shërbyer gjatë viteve 2024–2025 si drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) në Kosovë.










