Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Gentrit Murseli, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e qytetarëve, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet kompetente pas disa rasteve të sulmeve të dyshuara ndaj qytetarëve në qendër të qytetit.
Murseli, përmes një reagimi publik, ka bërë të ditur se para disa javësh edhe vetë ka qenë në mesin e personave të rrezikuar nga një sulm me gurë, për të cilin thotë se e ka njoftuar Policinë e Kosovës.
Sipas tij, personi në fjalë, të cilin e identifikon me emrin Valdrin dhe që pretendon se është i njohur për autoritetet kompetente, dyshohet se ka përsëritur dhjetëra herë sulme ndaj qytetarëve, duke përdorur gurë dhe mjete të forta.
Ai ka bërë të ditur se edhe gjatë mbrëmjes së sotme ka pasur raportime publike për një tjetër sulm të dyshuar ndaj qytetarëve nga i njëjti person.
Murseli e ka cilësuar të papranueshme mungesën e masave institucionale, duke kërkuar trajtim profesional të rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për mbrojtjen e qytetarëve.
Në reagimin e tij, asamblisti i LDK-së ka paralajmëruar se institucionet përgjegjëse nuk mund të arsyetohen se nuk kanë qenë të informuara në rast se situata përfundon me ndonjë tragjedi.
Reagimi i plotë i Gentrit Murselit:
“Para disa javësh në qendër të qytetit, një person me emrin Valdrin, i njohur për autoritetet kompetente, ka sulmuar me gurë qytetarët.
Në mesin e personave të rrezikuar kam qenë edhe unë, por fatmirësisht kam shpëtuar pa lëndime. Rastin e kam raportuar në Policinë e Kosovës.
Që nga ajo ngjarje, sipas informacioneve që kam, janë përsëritur dhjetëra raste ku i njëjti person dyshohet se ka sulmuar qytetarë me gurë dhe mjete të forta, duke rrezikuar sigurinë dhe jetën e tyre.
Edhe sonte ka pasur raportime publike se i njëjti person dyshohet se ka sulmuar sërish qytetarë.
Është e papranueshme që institucionet kompetente, pavarësisht rasteve të përsëritura, të mos ndërmarrin masa për trajtimin profesional të rastit dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Le ta dinë institucionet përgjegjëse: nëse nesër ndodh një tragjedi, askush nuk mund të arsyetohet se nuk ka qenë i paralajmëruar.
Për pasojat e mundshme të mosveprimit institucional do të kërkohet përgjegjësi.”










