Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të mallrave në fshatin Korminjan të komunës së Ranillugut, ku janë sekuestruar mallra në vlerë mbi 10 mijë euro dhe janë ndaluar tre persona të dyshuar.
Sipas njoftimit të Doganës, aksioni është zhvilluar më 5 nëntor 2026, në kuadër të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, nga Njësiti i Task Forcës, i përbërë nga Dogana dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Kufirit – Jugu, në bashkëpunim me njësitet policore.
Bazuar në informacione operative, autoritetet kanë ndërmarrë një aksion të koordinuar në fshatin Korminjan, ku pas vëzhgimit dhe vendosjes së dy pritave policore janë identifikuar dhe ndaluar tre traktorë të tipit Rakovica, me rimorkio të improvizuara dhe pa targa regjistrimi.
Traktorët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia, përkatësisht nga drejtimi i fshatit Konçul, duke shfrytëzuar rrugë malore dhe alternative drejt Korminjanit.
Gjatë operacionit janë ndaluar tre persona të dyshuar, të nacionalitetit serb dhe shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kontrabandimin e mallrave përmes vijës kufitare.
Gjatë kontrollit të mjeteve janë zbuluar dhe sekuestruar 144 arka me birra të markave Heineken, Tuborg dhe Zaječarsko, 250 kilogramë mish i bluar, dy thasë me suxhuk dhe 324 pula të gjalla.
Po ashtu, janë sekuestruar dy printerë profesionalë, dy pajisje të mëdha të rrjetit (switch) MikroTik, pesë pajisje të mesme të rrjetit (switch) MikroTik dhe gjashtë monitorë kompjuteri, 24 inç.
Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e tregut e mallrave të sekuestruara vlerësohet paraprakisht mbi 10 mijë euro, ndërsa vlera përfundimtare do të përcaktohet pas përfundimit të procedurave përkatëse të vlerësimit.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar edhe tre traktorët dhe rimorkiot e përdorura për transportimin e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara.
Dogana ka njoftuar se të gjitha veprimet operative dhe procedurale janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa rasti po trajtohet dhe hetohet nga Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Jugu.
Dogana dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme që cenojnë sigurinë, rendin juridik dhe interesat ekonomike të vendit.










