Zëvendësministri i parë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Fatban Bunjaku, të mërkurën, ka marrë pjesë në Konferencën Nordike për Qëndrueshmërinë Digjitale dhe Sigurinë Kibernetike, të organizuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe me mbështetjen e Këshillit Nordik.
Konferenca mblodhi ekspertë nordikë nga Nikka Systems, Cumucore, SOFF, Vesper Group dhe Ericsson Nikola Tesla, përkrah përfaqësuesve të sektorit publik e privat të Kosovës për të shkëmbyer përvojat dhe shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike.
Përveç zëvendësministrit Bunjaku, në konferencë ka marrë pjesë edhe ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.
Në fjalimet hyrëse, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Asa Pehrson dhe ambasadorja e Finlandës, Eevamari Laaksonen theksuan se forcimi i qëndrueshmërisë dhe sigurisë digjitale mbështet rrugëtimin evropian të Kosovës, duke vlerësuar shkëmbimin e njohurive dhe të përvojave mes vendeve si një rrugë të vlefshme për të kontribuar në këtë proces.
Konferenca përmbylli një nismë njëvjeçare të ambasadave nordike në Prishtinë, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja mes Kosovës dhe vendeve nordike.










