Komuna e Gjilanit ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave dhe fuqizimin e kapaciteteve të Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Në një tryezë të përbashkët me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, sigurisë, shëndetësisë, arsimit dhe shoqërisë civile, është diskutuar për sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës dhe nevojën për koordinim më të mirë ndërinstitucional.
Në kuadër të këtyre angazhimeve, Komuna ka bërë të ditur se ka siguruar veturën e dytë për Qendrën për Punë Sociale, me qëllim të rritjes së reagimit në terren dhe ofrimit të shërbimeve më të shpejta për familjet në nevojë.
Po ashtu, është hapur konkursi për angazhimin e stafit shtesë profesional, ndërsa ka nisur edhe vendosja e kamerave të sigurisë në objektin e QPS-së. Sipas njoftimit, është arritur gjithashtu marrëveshje me Policinë e Kosovës për rritjen e sigurisë në këtë institucion.
Një tjetër masë e paralajmëruar është funksionalizimi i një numri të veçantë kontakti ndërmjet zyrtarëve përgjegjës, për të mundësuar trajtimin më të shpejtë të rasteve urgjente.
Në kuadër të mbështetjes sociale, Komuna ka përgatitur edhe një propozim-vendim për mbështetjen financiare të familjeve strehuese. Sipas propozimit, familjet strehuese do të përfitojnë 200 euro në muaj, ndërsa mbështetja për fëmijët parashihet të jetë 100 euro për një fëmijë, 200 euro për dy fëmijë dhe 300 euro për tre fëmijë.
Për fëmijët me aftësi të kufizuara parashihet mbështetje prej 200 eurosh, si dhe 200 euro shtesë për familjen që kujdeset për ta.
Komuna ka bërë të ditur se do të vazhdojë edhe fushatat vetëdijesuese në bashkëpunim me shkollat, institucionet shëndetësore dhe shoqërinë civile, me synim parandalimin e dhunës dhe rritjen e vetëdijesimit në shoqëri.
Masat e prezantuara synojnë përmirësimin e reagimit institucional, rritjen e sigurisë dhe ofrimin e mbështetjes më të madhe për personat dhe familjet që përballen me dhunë dhe vështirësi sociale.










