Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka njoftuar se ka filluar asfaltimi i rrugës që lidh fshatrat Feriqevë dhe Gjyrishec, projekt ky në vlerë prej 1.5 milion eurosh.
Sipas njoftimit të Rahimajt, rruga ka një gjatësi prej 7.5 kilometrash dhe gjerësi prej 5.5 metrash, ndërsa parashihet asfaltimi me dy shtresa, 7 dhe 5 centimetra.
Ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, lehtësimin e qarkullimit dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët e kësaj ane të Malësisë së Kamenicës.
Rahimaj ka bërë të ditur se projekti po realizohet me kontributin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm për lidhjen dhe zhvillimin e vendbanimeve të kësaj zone.










