Shkruan: Avni Rudaku
Në kopshtin, çerdhen dhe shkollën fillore të lagjes, njihesh me fëmijët e lagjes dhe socializohesh me fëmijët e fqinjve të afërm e të largët të shtëpisë. Kur ndjek mësimet në shkollë të mesme, njihesh me banorët e lagjeve të tjera të qytetit dhe të fshatrave të Gjilanit. Në Universitetin Publik të Gjilanit, kur ndjek studimet universitare dhe pasuniversitare, njihesh edhe me banorë të komunave të tjera, si Kamenica, Vitia, Ferizaj, Kaçaniku, Lugina e Preshevës, duke e zgjeruar rrjetin e ri social nga disa komuna. Nëse studion në Prishtinë, njihesh edhe me banorët e qyteteve të tjera të Kosovës e më gjerë. Por lidhja me lagjen ku lind e rritesh, mbetet e veçantë, pasi është përditshmëria, fëmijëria, fqinjët dhe autobiografia. Prandaj, ky shkrim ka domethënie shtesë, pasi flas edhe si banor, edhe aktivist i kahershëm për çështjet publike lokale e qendrore. Gavrani është një lagje ikonike e viteve të ’90-ta, të jetës paralale në Kosovë, nga shtypja jugosllave. Në këtë lagje, u bënë të njohur disa kafebare të para, por edhe për korzon nga segregacioni ndëretnik i dekadës së fundit të shek. XX, kur serbët shëtisnin në qendrën e qytetit, kurse shumica shqiptare nga qendra u zhvendosën në periferi, në lagjen e Gavranit, për t’iu kthyer qendrës vetëm pas çlirimit dhe lirisë kombëtare. Gavrani i paraluftës, në kuptimin e sorrës nga gjuha serbe, pas luftës është riemërtuar me emrin “Dardania”, si çdo lagje tjetër, përfshirë dy lagje, me Dardania 1 dhe Dardania 2. Sidoqoftë, në të folurit e përditshëm, vazhdon Gavrani si emërtim sllav të mbetet në përdorim të përditshëm të shumë gjeneratave. Në pesë vjetët e fundit, gjithnjë e më shumë i dëgjoj shprehjet “Gavrani ka dek”, “Gavrani ka cofë”, të rënda për t’i dëgjuar, por e kanë vetëm një interpretim: Ka më pak klientë të kafebareve dhe lokaleve të jetës së natës, se kafebaret e vjetra mbyllen e hapen të rejat vazhdimisht e disa lokale edhe mbesin për disa vjet, me njoftimin se jepen me qira. Madje, disa lokale njihen edhe si “të mallkuara”, sepse sapo hapen, mbyllen dhe kurrë nuk kanë klientë dhe për to kam propozuar emërtime kreative, që do të mund t’i tërhiqnin klientët për selfie, si: “I mallkuar”, ose “I ka fry hoxha”!!! Domethënë, këto shprehje përdoren kur njerëzit duan të shpjegojnë se janë hapur lokale të reja, nuk ka më vetëm një qendër frekuentimi të bareve dhe klientëve në Gjilan, siç ishte për rreth tri dekada Dardania 1.
Lagjja me planimetri të veçantë urbane
Lagjja Dardania në Gjilan është lagje e re, nga vitet e ’70-ta të shek. XX dhe me vendosje të banorëve të rinj nga ajo periudhë, veçanërisht nga fshatrat e Kamenicës, por edhe Lugina e Preshevës. Krahasuar me lagjet e Balecit, Dheut të Bardhë, 7 Korrikun, e shumë lagje të tjera, me rrugë të ngushta, pa trotuarë ose trotuarë minimalë, Dardania ishte dhe mbetet ndër lagjet me planimetrinë më të mirë urbane. Shtëpi të radhitura më mirë, rrugë më të gjera, shtëpi me më shumë kopshte private, e kështu me radhë. Me përjashtim të një kompleksi banesor, lagjja është e ruajtur nga ndërtimet shumë të larta deri më tani, krahasuar me Balecin, Varoshin etj., të cilat po transformohen me shpejtësi nga ndërtimet e larta, dhe dorën në zemër, përveç humbjes së kujtimeve dhe identitetit historik, askujt nuk i dhimbsen, sepse kanë mbetur të ngushta e të vjetra në aspektin arkitektonik. P.sh., kur është prishur Xhamia e vjetër e Balecit dhe është ndërtuar krejtësisht me dizajn të ri, pak gjëra të trashëgimisë kulturore-historike kanë mbetur për t’u dhimbsur. Tjetër temë mbetet që ndërtimet e larta po ngushtojnë frymëmarrjen dhe rrezatimin diellor për shtëpitë e vjetra e të vogla, apo problemet e reja me kanalizim që nuk i përballon dot rritja e numrit të banorëve të rinj në një lagje aq të vogël e aq të ngushtë. Por le të kthehemi te Dardania, që u bë lagjja më e njohur edhe jashtë Gjilanit, për shkak të kafebareve e klubeve të natës. Vjetët e fundit, ky nam po bie nga transformimi i Gjilanit, veçanërisht nga sheshi ekzistues, bulevardi i ri që po ndërtohet dhe kafebaret e reja në zonat e reja urbane pas mbulimit të Lumit Mirusha. Pavarësisht lidhjes me lagjen time, Dardaninë, çdo transformim të Gjilanit, e mirëpres me gëzim dhe ky shkrim nuk i dedikohet fare lagjes, për epërsi ndaj lagjeve të tjera, sepse çdo lagje të qytetit, madje edhe fshatrat e Gjilanit që i vizitoj shumë shpesh, i ndjej si pjesë të mia, ku krijoj vazhdimisht kujtime. Jam fort i lidhur me çdo pjesë të Gjilanit, prandaj nuk shkruaj si disa që shkruajnë me superlativ për lagjet ku rriten, pavarësisht lidhjes së thellë me kujtesën time autobiografike me lagjen. Është e natyrshme dashuria që njeriu ka për lagjen ku rritet, kujtimet e fëmijërisë, nostalgjinë, fqinjët, shitoret e vogla, lokalet etj. Sidoqoftë, ky shkrim bëhet për të adresuar disa probleme të mëdha të Dardanisë dhe nevojën për ndërhyrje komunale, veçanërisht për mbingarkesën e lagjes me vetura të parkuara keq dhe zgjidhjen e përhershme të pranisë së aq shumë qenve endacakë, pa përjashtuar edhe mirëmbajtjen e rrjetës së fushës së futbollit në Parkun Dardania 1, sepse topi bie në rrugë dhe rrezikon veçanërisht fëmijët nga vrapimi në rrugë të mjeteve motorike, apo zbatimin e kritereve për regjistrim të fëmijëve të lagjes në çerdhen afër.
Pse ka rënë Dardania 1?
Ka shumë arsye, por sipas sociologjisë urbane, shpjegimi është i thjeshtë: është zgjeruar qyteti i Gjilanit, është mbuluar Lumi Mirusha, sheshi ekzistues i pafinalizuar ende dhe me ndërprerje me rrugë dytësore, ka bërë që rrjedha e këmbësorëve e kalimtarëve të bie ndjeshëm në Dardania 1, për të vazhduar kah sheshi ekzistues. Janë hapur bare të reja, madje ka bare si Taboo Bar që ka qenë në Dardania 1 dhe pasi është zhvendosur në sheshin e ri, ka fituar dukshëm popullaritet, veçanërisht në mesin e të rinjve e të rejave kliente. Madje ky lokal përfaqëson rënien fillestare të fuqisë së Dardanisë 1 në raport me pushtetin kulturor të argëtimit pas mbulimit të Lumit Mirusha. Disa bare të njohura nga fundi i viteve të ’90-ta, tashmë kanë humbur krejtësisht peshën, veçanërisht të klientëve nga mezomosha.
Një fenomen i ri që po shfaqet në Gjilan pas ndërtimit të hovshëm të komplekseve të reja banesore, është edhe hapja e lokaleve në çdo lagje ose mëhallë. Çdo mëhallë ka baret e veta dhe kjo ka ndikuar sociologjikisht edhe në ritakimin e banorëve të lagjes, rinjohjen me njëri-tjetrin, risocializimin mes tyre dhe krijimin e kohezionit brenda komunitetit të lagjes. Baret e lagjeve janë bërë edhe vendtakim social e mobilizues, për shfaqjen e ankesave dhe kërkesave në institucionet komunale, duke lindur këto nga një bisedë e thjeshtë e banorëve të lagjes në një kafebar të zonës. P.sh., dy fqinj duke pirë kafen e mëngjesit në kafebarin e mëhallës, janë kujtuar të bëjnë kërkesë për vendosjen e policave të shtrirë në lagje, duke e vërejtur nga kafebari shpejtësinë e veturave, rrezikun për këmbësorë, fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna etj.
Dardania 1 me mbingarkesë veturash
Dardania 1 e ka një prej problemeve kryesore ndaljen e veturave në rrugë të mjeteve motorike, përfshirë edhe pjesën e rrugës njëkahore. Problemi disavjeçar ka qenë dhe mbetet ndalja e veturave pranë shkollës fillore “Selami Hallaçi”, ku prindërit transportojnë fëmijët e tyre, duke i ndalur veturat në rrugë, në trotuarë, në zebra të këmbësorëve etj. Transporti i fëmijëve me vetura bëhet për shumë arsye: trotuarët e zënë, frika nga makinat në rrugë, qentë e shumë endacakë, menaxhimi i kohës pasi duke shkuar t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, vazhdojnë rrugën për në punë dhe pastaj me veturë kthehen dhe i marrin fëmijët në shkollë. Nuk ka edhe ndryshim mentaliteti se vajtje-ardhjet në shkollë vetë nga fëmijët, ka ndikim tepër të shëndetshëm psikologjik dhe fizik.
Mbingarkesa e shtuar me vetura janë edhe shërbimet ditore për të pame/ngushëllime/kryeshnosh, që janë hapur gjithnjë e më shumë është problem tjetër madhor i viteve të fundit. Shërbimet ditore e kanë bërë lagjen të pajetueshme, depresive, të mbingarkuar me vetura. Kur dikush shkon në të pame me veturë, nuk çon peshë për të, sepse e kalkulon se e ndal veturën vetëm për pak minuta, por për banorët e lagjes, është mbingarkesë e përhershme nga vizitorë të shumtë. Nuk ndalen kurrë vdekjet, të pamet, mysafirët dhe veturat e parkuara kudo. Këto e kanë vështirësuar edhe ecjen e çdo këmbësori, veçmas të nxënësve.
Mbingarkesë tjetër është që rruga njëkahore dhe në një anë për parking veturash, ka bërë që shoferët ndonjëherë nuk mund të parkohen para, por duhet të ndalen në rrugën kryesore, të qesin opsionin R, të bëjnë harkun a radiusin dhe të parkohen mbrapa. Kjo e ka penguar edhe mobilitetin në trafikun rrugor, duke shtuar kolonat.
Mbingarkesa e vazhdueshme ka qenë numri i lartë i lokaleve në këtë lagje urbane për kohë të gjatë, zhurma e mbrëmjes etj.
Mbingarkesa e trotuarëve përveç karrigeve të lokaleve, vazove absurde të betonit, frigoriferëve të arikujve etj., është shtuar edhe me vendosjen e aq shumë pemëve, perimeve dhe sendeve të tjera për shitje pranë shkollës fillore, një problem disavjeçar dhe kurrë me ndërhyrje komunale.
Gavrani si ankth i vdekjes
Tradita shqiptare për ngushëllime ka ndryshuar radikalisht, qoftë në vendin e mbajtjes së tyre, dikur vetëm në shtëpi, qoftë në kohëzgjatjen e tyre nga një muaj në një javë dhe së fundi nga një javë në tri ditë për ngushëllime. Familjarët duan të ruajnë shtëpinë e tyre private, nga problemet teknike të zbathjes e mbathjes së këpucëve të vizitorëve për të pame, zhytjes së tepihëve, ruajtjes së privaticitetit shtëpiak, orientimit më të lehtë në lokale për vizitorët etj. Madje, tradita ka ndryshuar edhe në fshatra, duke u hapur ngjitas me xhaminë e fshatit, edhe një lokal ku hapen të pamet për të ndjerin. Atë mund ta shfrytëzojnë të gjithë banorët e fshatit. Qëndrimi i ndryshuar tradicional nga shtëpia në lokale afariste, ka bërë që të motivojë pronarët e lokaleve, të hapin biznesin e shërbimit ditor për të pame. Është biznes profitabil, me fare pak shpenzime dhe është krejt legal e legjitim. Po të isha edhe unë në vend të tyre, do ta mendoja një biznes të tillë që shton mirëqenien socio-ekonomike të familjes. Problemi mbetet i infrastrukturës dhe politikave komunale. Si mund të lejosh të hapet lokali për shërbim ditor, pa hapësira për parking të përshtatshëm? Po fiton pronari, po dëmtohet krejt lagjja, këmbësorët, nxënësit, fëmijët, prindërit me karroce, kalimtarët e rastit etj. Përveç problemit me parkingje, ka edhe një dimension tjetër psikologjik: për çdo ditë, përballesh me vdekjen, karrigen para lokalit me fotografinë e të ndjerit, nikoqirin duke pritur me shumë pritës para lokalit, vetura të shumta të parkuara keq. Diskutimet për vdekjen janë shtuar në Gavran. Flitet vetëm për vdekjen. Qysh je duke dëgjuar muzikë në veturë, edhe me volum të ulët, vjen edhe refleksi për ta ndaluar muzikën, nga keqardhja që po kalon kah të pamet teksa familjarët mërziten për të ndjerin. Nuk ka asnjë shans të kalosh kah lokalet e shërbimeve ditore e të mos flasësh për vdekjen. Të imponohet.
Efektet psikologjike nga të jetuarit në lagjen me shumë të pame
Në psikologji, është i njohur togfjalëshi “vetëdijesimi i vazhdueshëm për vdekshmërinë”, si gjendje në të cilën rritet vetëdija se njeriu është i vdekshëm dhe vdekja ndikon në mënyrën se si mendojmë, përjetojmë dhe sillemi. Ky mekanizëm funksionon sipas këtyre fazave: kujtesa e vdekjes (prania e lokaleve të të pameve), aktivizohet vetëdija për vdekshmërinë (jeta është e kufizuar, e përkoshme, e rrejshme etj.), reagim psikologjik (ankth, mërzi, nevoja për të gjetur kuptime të reja si në logoterapi etj.) dhe në fund vjen deri te ndryshimi i qëndrimeve, marrëdhënieve, prioriteteve dhe kuptimit të jetës. Ngjashëm siç ndodh me banorët që jetojnë pranë varrezave.
Efekti i të pameve të përditshme në Dardania 1 dhe kudo tjetër që janë rritur lokalet e shërbimeve ditore në lagjet e tjera, mund të jetë i llojllojshëm. Disa ndikime mund të jenë: ndryshimi i perceptimit të kohës, ku banorët e lagjes mund ta mendojnë jetën si të shkurtër, koha është e shenjtë se sot jemi, nesër s’jemi; marrëdhëniet me familjarët, fqinjët, shokët, kolegët janë më të rëndësishme se disa grindje të vogla; pasuria, statusi, autoriteti, nuk janë gjithçka. Fillon të ndryshojë edhe marrëdhënia jonë me të tjerët, si përforcimi i lidhjeve me familjarët, shokët e shoqet etj., duke rritur afërsinë emocionale, por edhe te disa nevoja për siguri, kontroll dhe menaxhim të pikëllimit. Ka ndikim edhe në raportin me vetveten, duke reflektuar më shumë brenda mbretërive të mendimeve tona, se çfarë do të kujtojnë njerëzit për neve, çfare vlere ka jeta ime etj. Ka efekte edhe në melankoli të përditshme dhe frikë ekzistencialiste. Mund të ndodh edhe rritja e preokupimit ekzistencial, me pyetjet që vazhdimisht i kanë brengosur njerëzit: çfarë ndodh pas vdekjes, çfarë mbetet nga njeriu, a ka kuptim gjithçka që bëjmë, sa e shkurtër është jeta, çfarë do të ndodh me njerëzit që i duam… Mund të rriten edhe gjasat për t’u bërë besimtarë, pasi shkenca është ende larg përgjigjeve të tilla dhe referencat e vetme mbeten për ngushëllim, religjionet.
Mund të ketë edhe ndikime pozitive si, normalizimi i vdekjes. Me kalimin e kohës, duke parë vazhdimisht të pamet në lagje, të pamet të bëhen pjesë normale e lagjes ku jetojmë.
Pranimi i vdekjes si diçka normale, nga ekspozimi i vazhdueshëm me të pame. Distancimi emocional, desensibilizimi i vdekjes, duke pasur më pak pikëllim nga të mësuarit e përditshëm me të pame. Vlerësim më i madh i jetës.
Të pamet dhe ankthi i vdekjes
Sigmund Frojdi si një nga psikologët më emblematikë, kishte pikëpamje shumë interesante për vdekjen. Sipas tij, njerëzit në pavetëdijen e tyre, nuk e pranojnë vdekjen. Mund t’i mendojnë të gjithë të tjerët të vdekur, por jo edhe veten e tyre. Sipas Frojdit, kemi dy instinkte: të jetës e quajti eros, që lidhet me dashurinë, lidhjen, seksin, krijimin e riprodhimin, dhe thanatosin, instinktin e vdekjes, të lidhur me shkatërrimin dhe agresivitetin. Ankthin e vdekjes e lidhte jo me vdekjen, por me frikën e humbjes së dashurisë dhe përkrahjes, frikën nga braktisja, pafuqinë, frikën nga ndëshkimi, fajin dhe konfliktet e brendshme (intrapsikike). Irvin Yalom, si një nga figurat e fuqishme të psikoterapisë ekzistenciale, thoshte se ka një konflikt njerëzor esencial, se ne njerëzit duam të jetojmë, por e dimë se një ditë do të vdesim. Sipas tij, janë katër shqetësime kryesore: vdekja, liria e përgjegjësia, izolimi ekzistencial dhe mungesa e një kuptimi të gatshëm për jetën. Prandaj, lidhur me vdekjen, sipas Yalom-it, shfaqet frika e vetëdijshme kur mendojmë direkt për vdekjen dhe frika e pavetëdijshme, kur ankthi shfaqet në forma të tjera, si nevoja e tepruar për kontroll, evitimi i rrezikut, vështirësia për t’u ndarë nga njerëzit etj. Yalom zgjidhjen e jep si shumë ekzistencialistë të tjerë, që një vetëdije që e pranon se jeta është e kufizuar, rezulton me një vlerësim më të lartë për jetën. Antropologu Erneset Becker, mendonte se shumica e veprimeve njerëzore, madje lindja e fëmijëve, kërkimi i famës, prestigjit, krijimi i veprave, kulturës, është në përpjekje për të shmangur pashmangshmërinë e vdekjes. Prej tij, edhe lindi Teoria e Menaxhimit të Tmerrit, nga Jeff Greenberg, Sheldon Solomon dhe Tom Pyszczynski, të cilët konkluduan se, konflikti psikologjik njerëzor lind kur dy fakte janë të papajtueshme me njëra-tjetrën: instinkti i vetëruajtjes dhe vetëdija se vdekja është paqare. Ky konflikt krijon tmerr ose terror, frikë, përmes devijimit psikologjik dhe bindjeve kulturore për të dalë vetëm nga jeta biologjike. Nga ky tmerr, lind edhe nevoja për besimet fetare për ta përballuar faktin e pashmangshëm të vdekjes.
Gavrani po vdes, prandaj janë të hapur të pame të shumta.
Nuk ka ironi, absurditet, por edhe komedi më të madhe se sa fakti që nami i dikurshëm i Gavranit për kafebare e klube nate, po përshkruhet se “Gavrani ka dek”, ndërsa pas përhapjes së gjerë të këtij kumti, janë rritur lokalet e shërbimeve ditore, duke e bërë që Gavrani po vdes dhe argument shtesë është edhe fakti i shumë të pameve në këtë lagje. Nga lagje e argëtimit me muzikë e flirtit në lagje melankolike të mortit e të pameve. Nga lagje e muzikës e qejfit, në lagje të heshtjes e ngushëllimit.










