Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, vendimi për suspendimin e katër punonjësve është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, pas parregullsive të evidentuara.
Për këtë çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri, ku drejtori i Përgjithshëm, Elvir Azizi, ka raportuar për masat e para disiplinore të ndërmarra.
Bordi Drejtues ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që në çdo mbledhje të raportojë për ecurinë e procedurave disiplinore dhe veprimet e ndërmarra.
SHSKUK ka bërë me dije se do të vazhdojë trajtimin e rasteve në përputhje me procedurat në fuqi, me synim forcimin e përgjegjësisë institucionale në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.










