Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është pritur në Dublin nga presidenti i Federatës së Futbollit të Irlandës, Paul Cooke, në prag të ndeshjes së nesërme ndërmjet Irlandës dhe Kosovës.
Ademi, së bashku me delegacionin e FFK-së dhe delegaten e UEFA-s nga Greqia, Ana Kapasoglou, mori pjesë në darkën tradicionale të organizuar nga nikoqirët irlandezë, në një atmosferë miqësore dhe me diskutime për futbollin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy federatave.
Me këtë rast, Ademi e falënderoi presidentin Cooke për mikpritjen dhe respektin, si dhe për mbështetjen që Irlanda i ka dhënë Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Nga ana e tij, presidenti Cooke vlerësoi punën dhe sukseset e futbollit kosovar gjatë dekadës së anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, si dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet dy federatave, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Në prag të përballjes së rëndësishme sportive, Ademi theksoi se, përtej garës në fushën e futbollit, miqësia dhe respekti ndërmjet dy vendeve mbeten vlera që i bashkojnë.










