Ka qenë e është e nevojshme dhe e natyrshme që pas përfundimit të vitit shkollor, pra periudha e pushimeve verore të shfrytëzohet për rregullim, renovim, gëlqerosje, izolim apo edhe zgjerim e ndërtim të hapësirave të reja shkollore ,e diku edhe ndërtimi i shtesave (anekseve) apo edhe objekteve të reja shkollore.
Ndërtimi i shkollave të reja edhe më tutje është i nevojshëm, nga se edhe afër 20 vjet pas lufte, ende ka shkolla të cilat punojnë në tre ndërrime. Shkolla të tilla ka edhe në komunën e qytetin tonë, me çka dëmtohet rëndë procesi edukativo-arsimor, dëmtohen nxënësit, sepse ata do të duhet mësojnë me orar të shkurtuar mësimor, ndërsa arsimtarëve do t’u duhet të intervenojnë në shkurtime të njësive, temave plan programeve mësimore, në kundërshtim me rregullat, dëshirën dhe vullnetin e tyre. Për këto dhe probleme tjera me të cilat ballafaqohet arsimi në Gjilan, është diskutuar sot gjatë konferencës për media të mbajtur në zyren e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan.
Këto shqetësime, i ka paraqitur kryetari i Qendrës, njëherit dhe shefi i grupit të këshilltarëve komunal Nevzad Isufi dhe anëtarja e nënkomitetit për arsim në Qendër, Ardhmërie Musliu.
Kryetari Nevzad Isufi ka thënë se që nga viti I kaluar, nuk është bërë pothuajse asgjë.
“Siç e dini vitin e kaluar shkolla e mesme e bujqësisë pati lëshuar objektin e saj të ri e modern, për të ardhur e bërë qiraxhinj në shkollën profesionale teknike, në njërën nga shkollat më të vjetra të qytetit, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2002, madje sipas ekspertizave do të duhej të ishte jashtë përdorimit. Shkolla e bujqësisë punon me orar të shkurtuar në ndërrimin e tretë. Atë botë institucionet tona patën thënë se kjo do të zgjas vetëm një gjysmë vjetor, atëherë gjysmë vjetori i parë, ndërsa është përfunduar viti shkollor dhe ka filluar tjetri dhe askush s’ka ndërmarrë asgjë, ndërkohë që vazhdon dëmtimi i procesit mësimor të nxënësve të të dy shkollave dhe deri kur do të zgjas kjo askush nuk e di. Për çudi mungojnë reagimet e nxënësve, të prindërve dhe të të gjithëve në përgjithësi”, ka thënë Isufi.
Ndërkohë, ai ka thënë se shkolla teknike vazhdon të jetë njëra ndër shkollat më të diskriminuara, sepse përpos që është më e vjetra, është e vetmja që nuk ka as kantinë, s’ka sallë funksionale të edukatës fizike, ndërsa gjatë verës, kur ka qenë mundësia për të intervenuar për ta bërë atë të përdorshme, nuk është punuar asgjë. Nuk ka pajisje të kabineteve, ndërsa kjo shkollë ka blerë kompjuter të ri diku para 10 vjetësh.
“Nëse është punuar në ndonjë përmirësim a renovim të ndonjë shkolle, si p.sh. në fshatin Uglar, tashmë të gjithë e pamë se çfarë e si është bërë. Fat i madh që kanë shpëtuar nxënësit. Por e kujt është përgjegjësia? E kujt ka qenë mbikëqyrja, nga se në raste të tilla drejtuesit e shkollave janë “mysafirë në shtëpi të tyre”, pra askush s’ua varë as pyet për asgjë, ndërsa për mbikëqyrje më shumë ka gjasë të jetë dikush që është më afër operatorit apo punë kryesit, se sa institucionit. Kjo është treguar në praktikën e deritashme”, ka thënë tutje Isufi.
Gjithashtu, është folur edhe për shkollën e fshatit Përlepnicë, në të cilën nuk është punuar asgjë, përfshirë këtu edhe shkollën në Haxhaj, të cilës i ka mbetur vetem baza, sepse nuk është punuar aspak, ndërkohë që edhe shkolla e mesme në fshatin Zhegër gjendet gjithashtu në një gjendje të mjerueshme. Ndërsa është premtuar se do të jetë gati edhe shkolla e mesme e artit, por e cila nuk u bë gati as për këtë fillim vit të ri shkollor.
Ardhmërie Musliu, ka thënë se duke qenë prind vet, fare lehtë mund ta kuptojmë se cfarë është më e mira për fëmijët tanë.
“Aty ku neglizhohet arsimi , aty ndodhin fatkeqësi të mëdha. Gjendja e rëndë po rëndohet edhe më tepër me punësimin e mësimdhënësve në shkolla private dhe shtetërore, pra i njejti mësimdhënës punon në dy shkolla. Duke punuar 9 orë në ditë , këta mësimdhënës nuk kanë kohë e as fuqi për ti kushtuar coftë edhe një pikë vëmendje te fëmijët e lëre më për ti mbajtë të sigurt e të dijshëm. Ata që kanë një orar të tillë e njohin mirë lodhjen që pëson. Këta fëmijë të cilët kanë fatin të kenë mësimdhënës të tillë, do të përjetojnë ngecje në mësimnxënie, zhvillim dhe inteligjencë. Ka fakte të cilat tregojnë që kur mësimdhënësit i përkushtohen plotësisht nxënësve të tyre, këtyre nxënësve iu rritet inteligjenca 30%, ndërsa ata të cilët nuk marrin fare përkushtim inteligjenca e tyre ngec .
A mund të zhvillohen fëmijët me mësimdhënës të cilët hargjohen çdo ditë e më tepër? Fatmirësisht ka zgjidhje. Komuna e Gjilanit duhet që të bëjë ndërrimin e duhur, duke kthyer mësimdhënësit në gjendje ku mund të na edukojnë dhe mbrojnë fëmijët tanë. Edhe pse është e ligjshme, nuk është etike as për nxënësit, as për prindërit e aq më pak për vetë mësimdhënësit”, ka thënë Musliu.
Në këtë konferencë u fol edhe për cështjen e kampusit me të cilin është bërë bujë, duke thënë i vetmi në gjithë Republikën e Kosovës, i filluar para dy vjetëve, i kontraktuar me partneritet publik-privat, i paraparë të realizohet në tre faza,por që ka ngecur në fazën e parë. Ku janë dhe kur do të fillojnë faza e dytë dhe faza e tretë? Nëse faza parë ka zgjatur tash e dy vjet a do të thotë që faza e dytë dhe faza e tretë do të zgjasin edhe 4 vjet të tjera?! Ku janë fushat e futbollit, ku janë qendrat kreative?! Pra këto janë shenja se ka probleme edhe më këtë partneritet publiko –privat, i dyti i këtij lloji në komunë.