Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj, nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm, posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Sipas njoftimit të IPK-së, polici dyshohet se gjatë vitit 2026, jashtë detyrës zyrtare, ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm në formë online.
Po ashtu, ai dyshohet se kishte mbajtur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.
Në kuadër të hetimeve, gjatë së martës janë bastisur shtatë lokacione, ku janë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë e gjatë e gjuetisë, dy thika dhe municion i llojeve të ndryshme.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, në kuadër të këtij rasti janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë, të dyshuar për veprën penale “Shitblerja e armëve”. Ndaj tyre, hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
IPK-ja ka bërë të ditur se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.










