Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, ka publikuar listën e përfituesve të mbështetjes financiare për zhvillimin e bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Në kuadër të projektit “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë”, gjithsej 70 biznese dhe aplikantë janë përzgjedhur për të përfituar mbështetje, pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes.
Projekti realizohet nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare Help – Hilfe zur Selbsthilfe, me financim nga BAMF dhe bashkëfinancim nga Komuna e Gjilanit.
Sipas të dhënave të publikuara, në këtë thirrje kanë aplikuar gjithsej 187 persona. Komisioni vlerësues ka shqyrtuar aplikimet dhe ka realizuar vizita në terren me 85 aplikantë.
Pas përfundimit të vlerësimit, 70 aplikantë janë shpallur përfitues, dy janë vendosur në listën e pritjes, ndërsa 13 janë klasifikuar si të papërzgjedhur.
Sipas njoftimit, procesi i vlerësimit dhe përzgjedhjes është zhvilluar mbi bazën e transparencës, paanshmërisë dhe barazisë, duke u bazuar në kriteret e përcaktuara për këtë program.
Mbështetja synon të kontribuojë në zhvillimin e bizneseve ekzistuese dhe të reja, krijimin e vendeve të punës dhe zgjerimin e mundësive për punësim në Komunën e Gjilanit.
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ka uruar përfituesit, duke shprehur pritjen që kjo mbështetje të shërbejë si nxitje për zhvillimin e mëtejmë të bizneseve të tyre./Radio Star/













