Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për çështjen e kufirit edhe në të takimin e Komisionit parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, i cili përbëhet nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Europian e të cilët janë duke qëndruar në Kosovë.
Haradinaj, i cili iu drejtua anëtarëve të këtij Komisioni në gjuhën angleze, nuk la pa i përmendur edhe idenë e korrigjimit të kufijve, të hedhur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Haradinaj thotë se shpreson për një traktat të paqes, por diskutimi për kufijtë sipas tij kthen të shkuarën.
“Kur flasim për kufij i bie që t’i kthehemi të shkuarës, tragjedisë, por ajo çka shpresojmë është të kemi një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. E mbështes dialogun me Serbinë, por jo duke iu kthyer të shkuarës. Në të shkuarën, vonesat na kanë kushtuar me jetë njerëzish”, tha Haradinaj para të pranishmëve.
I pari i Qeverisë i ka falënderuar deputetët e Parlamentit Europian për votën pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ai ka folur gjithashtu edhe për agjendën europiane të Kosovës dhe i ka njoftuar të pranishmit se kjo çështje është në plan të Qeverisë.