Drita ka regjistruar një fitore të rëndësishme në javën e 14-të të Superligës së Kosovës, duke mposhtur Feronikelin 74 me rezultat 4:3, në një ndeshje të karakterizuar nga ritmi i lartë, gola të shumtë dhe emocione deri në fund.
Përballja nisi me befasi, pasi Albin Prapashtica, ish-futbollist i Dritës, kaloi mysafirët në epërsi qysh në minutën e dytë, me një realizim të bukur.
Skuadra gjilanase reagoi në minutën e 16-të, kur Besnik Krasniqi barazoi rezultatin pas një aksioni të mirë të nisur nga Ovuka. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Rroca përmbysi shifrat në 2:1, pas një aksioni të ndërtuar nga krahu i majtë.
Feronikeli 74 nuk u dorëzua dhe në minutën e 36-të arriti të barazojë në 2:2 përmes Cervadikut, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Spektakli vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Blerim Krasniqi shënoi me kokë në minutën e 48-të për 3:2, ndërsa Dobratiqi riktheu baraspeshën në minutën e 54-të, duke realizuar për 3:3.
Megjithatë, përgjigjja vendimtare e Dritës erdhi në minutën e 60-të. Grezda me një goditje ballore realizoi golin e katërt për vendasit, duke vulosur fitoren 4:3.
Me këtë triumf, Drita arkëton tri pikë të rëndësishme pas një përballjeje spektakolare, në të cilën u shënuan plot shtatë gola.










