Dje, në Shtëpinë e Kulturës në Kamenicë, u hap ekspozita kolektive mbarëkombëtare “Pëllumbat e Paqes”, e cila është organizuar nga Unioni i Artistëve pa Kufij në kuadër të festave të nëntorit, me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Kamenicës.
Nën moton “Kur flet arti, nderohet kombi dhe atdheu”, ekspozita bëri bashkë 34 artistë të cilët sollën piktura të shumta duke zbukuruar ambientin e Shtëpisë së Kulturës dhe me bukurinë e ngjyrave e domethënien që mbartin, zgjuan kureshtjen e qytetarëve të Kamenicës dhe të vizitorëve të tjerë.
Nga peizazhet e qeta te kompozimet me tematikë historike, secila vepër ofron një këndvështrim të veçantë mbi paqen, lirinë dhe bashkëjetesën.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Afrim Dervishi, së bashku me stafin e drejtorisë, i priti përzemërsisht artistët dhe të pranishmit në një ceremoni hapëse të denjë për karakterin mbarëkombëtar të ekspozitës.
“Jam i lumtur që kemi arritur ta sjellim ekspozitën ‘Pëllumbat e Paqes’ pikërisht këtu, në Shtëpinë tonë të Kulturës. Kjo ekspozitë e pasuron edhe më shumë jetën kulturore të Kamenicës. I falënderoj artistët që, përmes veprave të tyre, ndajnë me qytetarët tanë një mesazh paqeje dhe bashkëjetese”, tha drejtori Dervishi në një fjalë rasti.
Përmes kësaj ekspozite, artistët i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të angazhohet më shumë për mbrojtjen e paqes dhe të dinjitetit njerëzor.
Komuna e Kamenicës fton qytetarët dhe artdashësit ta vizitojnë ekspozitën në Shtëpinë e Kulturës në Kamenicë e cila është e hapur çdo ditë deri më 30 nëntor 2026.










