Infermierja Lirije Hyseni është pensionuar pas 45 vitesh punë në shërbim të qytetarëve, duke përmbyllur një karrierë të gjatë profesionale në kujdesin shëndetësor në Gjilan.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit, e udhëhequr nga drejtoresha Mimoza Kadriu, ka organizuar një ceremoni për ta përcjellë në pension infermieren Lirije Hyseni, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj shumëvjeçar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Me këtë rast, drejtoresha Mimoza Kadriu vlerësoi lart përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e Hysenit, e cila për 45 vite me radhë ushtroi profesionin e infermierisë me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj pacientëve.
“Përgjatë gjithë këtyre viteve, ajo nuk ofroi vetëm kujdes shëndetësor, por edhe këshilla, mbështetje, fjalë inkurajuese dhe shpresë për çdo pacient”, ka theksuar Kadriu.
Ajo shtoi se puna e infermieres Hyseni përfaqëson një shembull të përkushtimit profesional dhe vlerave njerëzore në shërbim të shëndetit publik.
Në fund, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i shprehu mirënjohje për 45 vitet e angazhimit, duke i uruar shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë pranë familjes.










