Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare BEYOND 2026, të organizuar nga British Council në bashkëpunim me BEYOND Studio, ku janë shkëmbyer përvoja mbi zhvillimin e qyteteve përmes kulturës, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.
Rahimaj, së bashku me drejtorin Selami Klaiqi, ka qenë pjesë e një delegacioni të kryetarëve të komunave të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve lokalë britanikë. Sipas njoftimit të tij, ai ishte kryetari i vetëm i një komune nga Kosova në këtë delegacion.
Gjatë vizitës dyditore, delegacioni ka zhvilluar takime institucionale në Salford, Manchester dhe Liverpool.
Në Salford, Rahimaj është takuar me kryetarin e këtij qyteti, Paul Dennett, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin ekonomik lokal, rigjenerimin urban dhe rolin e industrive kreative.
Ndërsa në Liverpool, ai është pritur nga Lord Mayor i qytetit, William Shortall, ku është njohur me përvojat e këtij qyteti në zhvillimin e hapësirave urbane, kulturës, trashëgimisë dhe turizmit.
Pjesë e vizitës ishte edhe njohja me modelin e MediaCity në Manchester, si dhe me transformimin e Liverpoolit pas shpalljes së tij Kryeqytet Evropian i Kulturës në vitin 2008.
Sipas Rahimajt, këto përvoja paraqesin mundësi për Kamenicën në drejtim të krijimit të kontakteve ndërkombëtare dhe shqyrtimit të partneriteteve të reja në fushën e kulturës, turizmit, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm lokal.
Në fund, kryetari Rahimaj ka falënderuar British Council për ftesën dhe mundësinë e pjesëmarrjes në konferencën BEYOND 2026./Radio Star/










