Me paraqitje në skena prestigjioze, përfshirë Carnegie Hall në New York, çmime të shumta ndërkombëtare dhe bashkëpunime me orkestra të njohura, pianistja shqiptare ka marrë një përgjegjësi të re profesionale në Universitetin Concordia University Chicago.
Nga Kosova drejt skenave të njohura të muzikës klasike në botë, Anila Aliu po ndërton një karrierë ndërkombëtare, duke dëshmuar talentin dhe përkushtimin e saj në artin e pianos. Pianistja shqiptare, e cila ka interpretuar në disa prej sallave dhe festivaleve të njohura muzikore në Evropë, Azi dhe Amerikë, ka shënuar tashmë një tjetër zhvillim të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, transmeton albinfo.ch.
Aliu ka bërë të ditur se është punësuar zyrtarisht në Universitetin Concordia University Chicago në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një përgjegjësi të cilën e ka cilësuar si privilegj dhe dëshmi besimi në punën e saj.
Në njoftimin e ndarë me miqtë dhe familjarët, ajo ka shprehur emocionet për këtë mundësi të re, duke falënderuar gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për hapësirën që i kanë krijuar për të zhvilluar ëndrrat dhe karrierën e saj.
“Është një privilegj, por mbi të gjitha një besim që do ta vlerësoj gjithmonë”, ka shkruar Aliu, duke e konsideruar këtë moment një etapë të veçantë në jetën e saj profesionale.
Nga koncerti i parë te skenat prestigjioze botërore
Rrugëtimi muzikor i Anila Aliut ka nisur që në fëmijëri. Ajo filloi studimet e pianos në moshën shtatëvjeçare, ndërsa paraqitjen e parë para publikut e pati vetëm një vit më vonë, transmeton tutje albinfo.ch.!
Përkushtimi ndaj muzikës klasike dhe talenti i saj u shoqëruan me pjesëmarrje të vazhdueshme në gara ndërkombëtare, ku fitoi çmime të para dhe vlerësime të veçanta.
Gjatë karrierës së saj, Aliu ka interpretuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosovë, Shqipëri, Austri, Gjermani, Itali, Zvicër, Belgjikë, Kroaci, Slloveni, Meksikë, Tajlandë, Malajzi dhe vende të tjera.
Ndër paraqitjet më të rëndësishme të saj është koncerti në Carnegie Hall në New York, një prej sallave më të njohura të muzikës në botë. Ajo është paraqitur gjithashtu në Town Hall dhe Gotham Hall në New York, Beethoven-Haus në Bon të Gjermanisë, si dhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare.
Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e saj ishte bashkëpunimi me Orkestrën Filarmonike të Kosovës dhe orkestrën Xalapa Filarmonia në Meksikë, ku u paraqit si soliste.
Në vitin 2025, ajo fitoi çmimin kryesor në garën “CCPA Concerto Competition” në Çikago, sukses që i mundësoi të interpretonte si soliste me Orkestrën e Chicago College of Performing Arts.
Çmime ndërkombëtare dhe vlerësime për talentin e saj
Anila Aliu ka fituar çmime të rëndësishme në konkurse të muzikës klasike në New York, Londër, Bangkok, Lugano, Itali dhe vende të tjera.
Ndër vlerësimet e saj përfshihen çmimi i parë në “Golden Classical Music Awards”, në New York, në “Bangkok International Piano Competition”, si dhe në konkurse të tjera ndërkombëtare të pianos.
Në vitin 2025, ajo u nderua edhe me çmimin “Distinguished Artist Prize” në Kuala Lumpur të Malajzisë, ndërsa në vitin 2026 mori një mirënjohje zyrtare nga Asambleja e Shtetit të New Yorkut për arritjet artistike dhe rolin e saj në përfaqësimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Interpretimi i saj është vlerësuar edhe nga pianistë të njohur ndërkombëtarë, përfshirë pianistin Dmitri Alexeev, i cili ka vënë në pah muzikalitetin dhe nivelin e saj artistik.
Nga interpretimi në skenë te angazhimi në arsimimin muzikor
Përveç karrierës si pianiste koncertale, Aliu është e angazhuar edhe në edukimin e gjeneratave të reja të muzikantëve, transmeton albinfo.ch.
Ajo është pjesë e stafit pedagogjik të New Music School në Çikago, ku punon me nxënës të niveleve të ndryshme, nga fillestarët deri te pianistët e avancuar. Gjithashtu, ka marrë pjesë si anëtare jurie në festivale ndërkombëtare dhe ka mbajtur masterklasa për muzikantë të rinj.
Formimin akademik në piano e ka ndërtuar në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar studimet bachelor dhe master në performancë pianistike. Më pas, vazhdoi rrugëtimin në Shtetet e Bashkuara, në Roosevelt University, në Chicago College of Performing Arts, ku përfundoi programin Artist Diploma nën mentorimin e profesorit të njohur Adam Neiman. Sipas biografisë së saj profesionale, ajo po ndjek edhe studimet e dyta master në performancë pianistike.
Angazhimi i ri në Concordia University Chicago i shtohet kështu një karriere që ndërthur interpretimin artistik, formimin akademik dhe edukimin muzikor.
Rrugëtimi i Anila Aliut është një tjetër shembull i potencialit të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare. Nga koncertet e para në fëmijëri deri te paraqitjet në disa prej sallave më prestigjioze të muzikës klasike, ajo vazhdon të ndërtojë një profil profesional që e lidh talentin shqiptar me publikun dhe institucionet kulturore në mbarë botën./Albinfo.ch










