Sot shënohen 58 vjet nga demonstratat shqiptare të vitit 1968 në Kosovë, të cilat përfaqësojnë një nga ngjarjet e rëndësishme të historisë së rezistencës politike dhe kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Demonstratat nisën më 27 nëntor 1968 në Prishtinë, Besianë, Ferizaj dhe Gjilan. Ato u organizuan nga një grup studentësh dhe veprimtarësh politikë, të njohur si Komiteti i Demonstratave, i përbërë nga nëntë anëtarë, me Osman Dumoshin në krye.
Pjesë e këtij komiteti ishin Osman Dumoshi, Adil Pireva, Selatin Novosella, Ilaz Pireva, Xheladin Rekaliu, Afrim Loxha, Skënder Muçolli, Skënder Kastrati dhe Hasan Dërmaku.
Gjatë protestave, demonstruesit dolën me flamuj dhe pankarta, duke shpalosur kërkesat e tyre për të drejta kombëtare dhe politike. Ndër parullat e përdorura ishin: “Duam vetëvendosje deri në shkëputje”, “Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, “Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën”, “Duam Kushtetutë!”, “Duam Universitet!” dhe “Duam bashkimin e Preshevës me Kosovën!”.
Demonstratat e vitit 1968 u shndërruan në një pikë të rëndësishme referimi për lëvizjet e mëvonshme politike dhe kombëtare në Kosovë. Ato shënuan një etapë të re të artikulimit publik të kërkesave të shqiptarëve dhe u pasuan nga zhvillime të tjera politike e shoqërore në dekadat që pasuan.










