Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një konference për media ka bërë thirrje edhe njëherë skenës politike e gjithë shoqërisë kosovare për bashkëpunim në mënyrë që të përmbyllet procesi i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi deklaroi se bisedimet do të përmbyllen me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ku Serbia do të njohë Kosovën si dhe Presheva, Medvegja e Bujanoci do t’i bashkohen Kosovës përmes asaj që e quajti “korrigjim të kufijve”.
Marrëveshja do të arrihet në qoftë se palët bëjnë kompromis. Ka të tillë që thonë se Serbia duhet ta njohë Kosovën, pajtohem me këtë. Mirëpo, dua të potencojë shumë drejtpërdrejtë, në mënyrën më të sinqertë të mundshme se sot një gjë e tillë Serbia nuk po e bën. Për fat të keq me gjithë përpjekjet maksimale që Serbia ta njohë Kosovën nuk po mund ta bindin as BE-ja as shtetet anëtare veç e veç e as SHBA-të”.
“Dikush mendoi se Rusia do ta tërheq veton për Kosovën nga Këshilli i Sigurimit. As kjo nuk po ndodhë me gjithë përpjekjet maksimale të gjithë partnerëve tanë. Nuk shoh shpresë se kjo do të ndodhë pa një marrëveshje. Për të arritur këtë kam propozuar korrigjimin e kufirit. Kam argumentuar se marrëveshja do të rezultojë me njohje nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën”.
Presidenti i vendit gjithashtu ka theksuar se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me arritjen e marrëveshjes me Serbinë.
“Dyshuesit në marrëveshje ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë me lehtësi po përhapin shqetësim apo frikë për gjeo-destabilizim të rajonit. Në çdo rast të arritjes se marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë njohje reciproke dhe do të ruhet multietniciteti”.
Ai shtoi se marrëveshja potenciale që mund të rezultojë me korrigjimin paqësor të kufijve mund të shërbejë si precedent pozitiv për zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore.
Thaçi tha se me arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, hapen dyert për anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, në të kundërtën as Serbia as Kosova nuk mund të bëjnë hapa drejt pretendimeve të tyre euroatlantike.