Të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar që më herët janë ngrohur me thëngjill gjatë stinës së dimrit, nga ky vit nuk do të mundë ta përdorin këtë lëndë djegëse. Vendimin e ka marrë kohë më parë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi. Drejtoritë Komunale të Arsimit e kanë për obligim ta zbatojnë këtë vendim, me qëllim të mbrojtjes së ambientit.
Me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit si dhe mbrojtjes së ambientit, shkollat e vendit nuk do të ngrohen më me thëngjill. Ky vendim është marrë nga ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi. Këshilltari i tij, Valmir Gashi, tha për televizionin publik se vendimi për ndalimin e thëngjillit për ngrohje në të gjitha institucionet edukativo arsimore në sezonin dimëror, është marrë në koordinim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Vendim ndalon vetëm përdorimin e thëngjillit për ngrohje nëpër shkolla, ndërsa mund të përdorin çdo alternativë tjetër për ngrohje, sepse çdo alternativë tjetër është më e mirë se sa përdorimi i thëngjillit. Është kompetencë e komunave për të siguruar ngrohjen nëpër shkollat e Kosovës dhe ato e kanë përgjegjësinë të vendosin se me çfarë do të ngrohen shkollat” ka thënë Gashi.
SHKOLLAT NUK DO TË NGROHEN MË ME THËNGJILL
Ndani këtë artikull