Vetëvendosje përmes protestës të së shtunës synon që t’ia ndalojë presidentit Hashim Thaçi, që të negociojë për territorin e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ka thënë se pazaret për territor të presidentit Thaçi me homologun tij serb Vuçiq, janë të rrezikshme dhe duhet të ndalen.
Vetëvendosje thotë se protesta e 29 shtatorit do të dëshmojë se Kosova dhe qytetarët e saj janë kundër ndryshimit të kufijve, me të cilët u shpall i pavarur.
Kurti i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Haradinaj, që opozita të bashkëkryesojë ekipin negociator qeveritar. Ai ka thënë se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa u plotësuar disa kushte.
Ndërkaq, sekretarja e Vetëvendosjes, Vlora Haxhimehmedi, ka treguar se marshi protestues do të nisë nga Biblioteka Kombëtare, për të vazhduar deri tek objekti i Qeverisë së Kosovës.
Më pak se një javë nga mbajtja e kësaj proteste, Vetëvendosje ka kërkuar që t’i bashkohen të gjitha partitë dhe aktivistët e tyre.
LDK-ja ka refuzuar që të bëhet pjesë e protestës.