Debati i radhës i organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” iu referua tatimit në pronë i cili është një nga sektorët më të ndjeshëm dhe më dobiprurës për Komunën e Gjilanit. Ndryshimet e ligjit për tatimin në pronë kanë hapur edhe debate e sqarime të nevojshme për qytetarët.
Nisur nga ky interesim është mbajt debati me temë:”Tatimi në pronë shtyllë financiare e rëndësishme, sqarimet rreth ligjit të ri”, e ku, Lutfi Haziri, kreu i Komunës së Gjilanit ka thënë se zbatim i ligjit dhe masat që do të merren bazuar në ligj, do të mundësojnë grumbullim e borxheve të tatimit në pronë, por tani me masa shtrënguese.
Haziri ka thënë se komuna ende nuk e ka kontraktuar përmbaruesin, por se qytetarët janë në dijeni më për këtë formë të grumbullimit të borxheve përmes përmbaruesit. Por, sipas tij, qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen, por borxhlinjtë le të bëhen gati se borxhet do të grumbullohen.
Haziri ka sqaruar se kjo nuk ka të bëjë me këtë vit ose me obligimet e tanishme, pasi ai tha se është i kënaqur me pagesat që po bëhen për tatimet në pronë, por fjala është për obligimet e mbetura, borxhet e grumbulluara që sa vite të tatimpaguesve borxhlinj, e ku sipas tij, janë operatorët ekonomik dhe ndërmarrjet që janë borxhlinjtë me të mëdhenj, e nuk janë ekonomitë familjare.
Haziri tha se kategoritë e borxhlinjve do të trajtohen sipas prioriteteve dhe nuk do të ketë kompromis për askënd.
Po ashtu, ai përmendi edhe masën e dytë që do të ndërmerret nga komuna ku do të trajtohen objektet ilegale, e ku po ashtu nuk do të ketë kompromis, e më pastaj masë tjetër do të jetë edhe lirimi i trotuareve dhe vendeve publike nga uzurpimet.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, ka sqaruar ndryshimet që janë bërë rreth tatimit në pronë në veçanti hyrja në fuqi e ligjit të ri për tatimin në pronë, me numër 06/L-005/2018, që parashihen ndryshime për inkasimin e borxheve.
Maliqi, ka apeluar që borxhlinjtë t’i përgjigjen pagesave, sepse në të kundërtën në bazë të këtij ligji, duhet të veprohet përmes përmbaruesve që është një rrugë e mundimshme për borxhlinjtë. Ia tha se tatimi në pronë është e hyra e vetme tatimore, kryesore e komunës e që në tërësi u kthehet qytetarëve.
Edhe afatet kohore sipas ligjit të ri, siç ka njoftuar drejtori, kanë ndryshuar nga ligji i deritanishëm, i cili deri më tani kishte dy periudha kohore, 30 qershorin dhe 31 dhjetorin, ndërsa me ligjin e ri afatet kohore janë 30 prilli dhe 30 shtatori.
Gjithashtu me këtë ligj pos tjerash për herë të parë është paraparë edhe tatimi i tokës ku nga viti 2019, do të kemi tatimin e përshkallëzuar në tokë.
“Prej vitit 2019, do të fillohet me tatimin e tokave të pa kultivuara. Toka e cila punohet edhe më tutje do të jetë e liruar nga tatimi. Këtu është qëllimi i punimit të tokës dhe njëkohësisht stimulimi i bujkut. Prej vitit 2019 fillohet tatimimi me një përqindje të vogël, por duke e rritur nga viti në vit”, ka thënë Maliqi.
Ndryshim tjetër, sipas tij është kamata, për mos pagesën me kohë, Kamatat që ishin 1 për qind- mujore, me ligjin e ri është zvogëluar në 0.65 për qind – kamatë mujore, derisa ankesat mund të bëhen tani deri më 230 mars.
Por, ndryshimi kryesor, sipas Maliqit, është ajo se obligimet do të mblidhen me përmbarues.
“Prej 1 tetori ka hyrë në fuqi ligji i ri për tatimin në pronë, me numër 06/L-005/2018, që parashihen ndryshime për inkasimin e borxheve. Njëra prej formave është edhe inkasimi me përmbarim. Ne kemi filluar me këtë formë, konkretisht ne kemi lëshuar vërejtjet e fundit për 52 borxhlinj (biznese kryesisht) që janë në vlerë të borxhit prej mbi 5 mijë euro dhe u kemi dhënë afatin prej 15 ditësh për pagesën e obligimeve, para se të filloj punën përmbaruesi. Vetëm këta 52 obligues kanë borxhin prej mbi një milion e 100 mijë eurosh. Në fazen e dytë do të fillojmë me obliguesit prej vlerës një mijë euro deri në pesë mijë euro, e kështu me radhë. Vlera e borxheve ndaj Komunës së Gjilanit vetëm në sektorin e Tatimit në Pronë është mbi 7 milionë euro”, ka thënë në fjalën e tij drejtori Maliqi.
Ndërsa, debatuesit tjerë në debat dhanë opinionet e tyre dhe shtruan pyetje e shqetësime në lidhje me temën. Ramiz Isufi nga Uglari ka thënë se nuk është e drejt të kërkohen tatimet e të mos bëhen investimet si shembull me fshatin Uglar, që dallohet pozitivisht për pagesë të tatimit në pronë.
Ai shprehu shqetësimin e tij, si kryetar i Këshillit se institucionet komunale nuk kanë bërë asgjë për këtë lokalitet në këto dy mandate duke e lënë Uglarin jashtë investimeve.
Ai tha se nuk është e drejtë të kërkohen të paguhen tatimet në pronë e në anën tjetër aty të mos investohet, por të ketë investimeve nëpër lokalitete tjera, dhe këtu ngriti shqetësimin e prapavijës politike.
Ai tha se nuk u mbetet tjetër kësaj pjese veç të organizohen dhe të kërkojnë edhe me shkrim që Uglari të lirohet nga pagesat, të shkarkohet nga taksat, për shkak se politikisht nuk respektohet dhe se tatimet nuk po u kthehen qytetarëve në këtë pjesë me investime.
Isufi ka thënë se është premtuar shumë, por nuk po shihet asgjë se është punuar. “Kemi nevoja të shumta, por komuna lyp taksa por nuk ofron investime, derisa dika tjetër shtrohen edhe oborre me asfalt”, ka thënë Isufi.
Ndërsa, Demir Krasniqi është ankuar se nuk i vijnë asnjëherë, në shtëpi, faturat e tatimit në pronë e Shaban Terziu tha se tokat e papunuar gjithsesi duhet të tatimohen e borxhlinjtë duhet të dërgohen te përmbaruesi privat, derisa ka kërkuar që të bëhen publike edhe uzurpuesit e pronave publike.
Musli Matoshi ka thënë se në Vërbicë të Kmetocit kemi prona publike shumë dhe dyshon për uzurpime, andaj pyeti se a do të trajtohen këto nga komunës, bëhet fjalë për toka të punuara e rrugë të vjetra.
Edhe folës të tjerë ngritën shqetësime se ka raste kur matjet e pronave janë të gabuara e qytetarë kanë telashe edhe me dokumente kur tatimin në pronë ,e paguajnë por prona u figuron shoqërore.