Ëmbëlsira e pjekurina të ndryshme janë gatuar nga nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe të gjitha ato janë ekspozuar në hollin e shkollës. Dikush kishte përzgjedhur gatime tradicionale nga tradita shqiptare si mantija, petulla, kifle e pogaqe, disa të tjerë kishin pjekur krepa, të tjerët kishin sjellë ëmbëlsira nga më të ndryshmet e nxënësit me vete kishin sjell edhe lëngje nga më të ndryshmet.
Më pas, në kohën e pushimit të gjatë në ndërrimin e paradites dhe të pasdites të gjitha këto specialitete, vepër e vetë nxënësve janë shijuar nga bashkmoshatarët e tyre, por edhe nga profesorët dhe stafi tjetër i shkollës.
Gjithë ky aktivitet, i drejtuar nga profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Bukurije Sylejmani e i organizuar nga vetë nxënësit kishte edhe karakter humanitar, ngase u mblodhën mjete, të cilat do t’u dhurohen atyre që kanë më së shumti nevojë.
Bukurije Sylejmani, profesoreshë, që ishte nismëtare e kësaj ngjarje, thekson se 16 tetori është dita Botërore e Ushqimit, andaj nxënësit kanë shprehur vullnetin e tyre që të jenë pjesë e kësaj ngjarje, në atë mënyrë që ata vetë kanë përgatitur ushqime nga më të ndryshmet dhe të njëjtat janë konsumuar nga nxënës e mësimdhënës, të cilët në bazë të vullnetit të tyre kanë dhënë shuma të hollave.
Gjithësesi se edhe profesoresha e profesorë të tjerë të gjimnazit meritojnë për angazhimin e tyre, sikurse edhe drejtoria e shkollës që pa hezitim i ka dhënë përkrahje kësaj nisme.
Në këtë aktivitet është arritur që të mblidhet një shumë rekorde, 600 euro dhe kjo nuk ishte hera e parë që pati një aktivitet të tillë, por shuma e mbledhur e të hollave është më e madhja që është mbledhur ndonjëherë dhe të gjitha këto mjete do të shpërndahen për humanitet për ata që kanë nevojë.
Edhe nxënësit pjesëmarrës janë ndarë shumë të kënaqur, ngase qëllimi i tyre pos që ishte të dëshmojnë se ata janë nxënës të mirë e të pjekur për jetë, njëkohësisht treguan zemrën bujare dhe karakterin humanitar.
Aktivitetet e këtyre nxënësve nuk do të mbeten me kaq, por ata zotohen që edhe në të ardhmen do të ndërmarrin nisma të tjera.