Komiteti për Politikë e Financa (KPF), nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka mbajtur të premten takimin e radhës, ka rekomanduar për Kuvend Komunal raportin financiar për periudhën janar-shtator 2018, raportin e punës të ndërmarrjeve publike “Tregu”, Stacioni i Autobusëve dhe “Ecohigjiena”, propozim-vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale “Tregu”, Stacioni i Autobusëve dhe “Ecohigjiena”, pjesa publike, raportin për përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 si dhe fillimin e vitit shkollor 2018/2019, raportin e komisionit për mbikëqyrjen e dezinfektimit, dezinsektimit dhe derratizimit si dhe kërkesën për kompensimin e Komisionit për ndarjen e bursave për studentë të dalluar.
KPF është pajtuar që për të gjitha këto pika, debati të zhvillohet në seancën e Kuvendit, ku edhe do të merren vendimet për secilën prej tyre veç e veç.
Ndërkaq, KPF vendosi që ta shtyjë për takimin e radhës rregulloren për ndarjen e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, pasi që anëtarët e kësaj trupe komunale patën vërejtje për mos përfshirje edhe të propozimeve tjera, që ishin rekomanduar nga Komiteti për Kulturë, Rini e Sport, ose në dëgjimet publike.
Shpresa Hajdari, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport, sqaroi se ri-procedimi i rregullores ekzistuese ka për qëllim futjen edhe të tri shpërblimeve ekzistuese, të cilat nuk kanë qenë në rregullore deri tani, ndërsa janë ndarë nga Kuvendi Komunal, siç janë çmimi letrar “Beqir Musliu” si dhe çmimet “Idriz Seferi” e “Agim Ramadani”.
Pas një konsultimi me anëtarët e KPF, kryesuesja Kurteshi-Emini tha se propozim-rregullorja shtyhet për takimin e radhës, për t`u plotësuar me propozimet tjera, të cilat duhet të dërgohen së bashku me arsyetimet.
Sa i përket propozimit të Mimoza Kadriut, që të përfshihet në rend dite edhe emërimi i autostradës së Gjilanit me emrin “Agim Ramadani”, që më herët ishte ngritur edhe nga Ibish Ibishi dhe që mori përkrahje nga të gjithë anëtarët e KPF, pas një diskutimi të gjerë dhe sqarimeve që dha sekretaria e Kuvendit sa i përket kompetencës për emërtime të tilla, KPF u pajtua që ky propozim, si nismë e këshilltarëve komunalë të Gjilanit, ditëve të ardhshme t`i dërgohet nivelit qendror, me kërkesë që të merret parasysh.