Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për koalicionet e mundshme në të ardhmen. AI ka përjashtuar në njëfarë mënyre, bashkëqeverisjen me LVV-në, përderisa këta të fundit e mbajnë qëndrimin e njëjtë ndaj liderit historik të tyre, Ibrahim Rugova.
Vlen të përmendet se ditë më parë Albin Kurti ka zhvilluar një takim në shtëpinë e Isa Mutafës, ku edhe ishte raportuar për një bashkëpunim të mundshëm mes LDK e VV.
Raporti i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj figurës së Rugovës si lider e themelues i kësaj Republike mund të jetë determinues për mundësinë e bashkëpunimit nesër. Tash për tash, mosbesimi mes dy partive tona është i madh dhe kjo ka ndodhur, jo vetëm nga kontestimi i figurës së Rugovës, por edhe ai agresiviteti opozitar karshi Qeverisë Mustafa, që ka qenë i paparë deri në këto kohë dhe i papërsëritshëm, ndoshta”, ka thënë Haziri në një intervistë për portalin Pista.Neës
I pyetur nëse do të jetë kandidat i LDK për kryeministër dhe lider i partisë se a do të vazhdojë ta mbajë të njëjtin qëndrim për Luginën, nënkryetari i LDK-së tha se nuk do të tërhiqet për asnjë çmim, pavarësisht qëndrimit zyrtar që mban LDK sot përballë kësaj çështje.
“Kjo është padrejtësi që i’u është bërë shqiptarëve atje duke mbetur nën Serbi dhe Kosova e ka për borxh të bëj përpjekje maksimale për t’ua zgjidhur problemin. Dallimet që sot ekzistojnë në Kosovë rreth kësaj çështje bëhen kryesisht për inate politike”, tha ai.
Lutfi Haziri, po ashtu ka zbuluar detaje interesante në takimin e tij me Ministrin e Pushtetit Lokal në Serbi të asaj kohe, Zoran Lonçar, gjatë bisedimeve të Vjenës për statusin final në vitin 2005.
“Kai Aide e kishte përdorë si test këtë takim nëse Kosova është e aftë vetë të negociojë çështjen e saj me Serbinë. Pra, ka qenë ky test që përjashtoi përfundimisht idenë serbe që të negociojë çështjen e Kosovës me palën shqiptare pa Kosovën. Serbia gjithmonë ka tentuar dhe insistuar që të dialogojë me Tiranën për çështjen e Kosovës. Disponimi ndërkombëtar në atë kohë ka qenë i ndarë rreth kësaj ideje nëse duhet të negociojnë për Kosovën Tirana e Beogradi”, ka deklaruar Haziri.
Kohëve të fundit, sipas Hazirit, është aktivizuar kërkesa që Shqipëria me qenë palë në bisedimet finale Kosovë-Serbi, e që për të nuk duket e çuditshme e as befasuese.
“Tash është aktivizuar për herë të tretë, që për mua nuk është e çuditshme e as befasuese, kërkesa që Shqipëria me qenë pjesë e përmbylljes së normalizimit dhe një formulë që çon në mosrespektimin e parimit të mosbashkimit që Kosova e ka në Kushtetutë, sipas Pakos së Ahtisarit, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje politike që nënkupton formulën ‘less than Great Albania (Më pak se Shqipëria e madhe)’. Kjo parasheh shpërbërjen e Republikës së Kosovës”, është shprehur Haziri.