Sikur kur është bërë kampione, Drita i është kthyer serisë pozitive të rezultateve, duke shënuar disa fitore radhazi. Këtë të shtunë, ekipi bardh e kaltër nga Gjilani ka shënuar fitore, në fushën e Ferizajt.
Kanë qenë vendasit që në fillim të ndeshjes kanë rrezikuar dy herë nëpërmjet Mazrekajt dhe Hamitit, por derisa i pari nga gjuajtja e lirë gjuajti jashtë portës, në rastin e dytë portieri Rexhepi i Dritës ishte në vend.
Në minutat 19 dhe 30, portieri i Ferizajt, Blakqori, në dy raste ka shpëtuar portën e tij, por jo edhe në minutën 31, kur pas harkimit të Xhevdet Shabanit, Haxhimusa ka shënuar gol për 0:1.
Ferizaj ka patur rast të barazojë, kur për pak Leci i Dritës nuk shënoi autogol e rast të mirë pati edhe Bërbatovci, por nga afërsia nuk ia doli të shënojë.
Pjesëloja e parë ka përfunduar me një gjuajtje të fuqishme të Haxhimusës, por pa ndryshuar rezultati.
Në pjëslojën e dytë më shumë ka mbizotëruar në fushë ekipi i Ferizajt. Në minutën 52, Bërbatovci nga afërsia nuk e qëlloi portën. Një minutë më pas Haliti më lehtë e kishte të huq se sat ë shënojë, por ai nuk e qëlloi portën. Edhe Gashi shpërdoroi një rast për Ferizajn në minutën 62, kurse as Mazrekaj nuk ishte i saktë nga gjuajtja e lirë.
Ferizajt iu vështirësuan punët edhe më shumë në minutën 76, kur pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Shaqirit, Kristi Marku i Ferizajt u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Edhe pse gjyqtari dha gjashtë minuta shtesë, Drita diti t’a menaxhojë këtë pjesë të lojës. Bile në minutën 95, pas një asistimi të Xhevdet Shebanit, Haxhi Neziraj me një gjuajtje të fortë për tokë qëlloi këndin e djathtë të poshtëm të portës së Ferizajt dhe me plotë meritë shënoi fitore me rezultat 0:2.