Aktualisht në Kosovë tregtarët mund të importojnë vetura jo më të vjetra se dhjetë vite. Mirëpo, pas propozimit të deputetit Mërgim Lushtaku për heqjen e kufizimit që nuk lejon importimin e veturave më të vjetra se dhjetë vite, Kuvendi po e shqyrton përsëri ligjin për automjete.
E heqjen e këtij kufizimi, po e kërkojnë edhe tregtarët e veturave në tregun e Fushë Kosovës.
Samir Voca, shitës i veturave në këtë treg, tha se nëse nuk hiqet ky kufizim, ai nuk di çfarë të bëjë me veturat më të vjetra se 10 vite që ai posedon, raporton Kosovapress.
Edhe Xhafer Fetahut po i konvenon heqja e kufizimit të importit të veturave të vjetra, kryesisht për shkak të kostos më të ulët që kanë. Kurse për dëmet që mund t’i shkaktojnë ambientit, ai tha se mund të evitohen përmes kontrollave teknike.
Por blerësit nuk po e ndajnë të njëjtin mendim me tregtarët. Ata duan që të mbetet kufizimi për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet, por kërkojnë që të lirohen nga shpenzimet doganore.
Altin Berisha tha se veturat e vjetra po e dëmtojnë ambientin, andaj sugjeroi që mos të importohen në Kosovë.