Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, vatër e diturisë në të cilën gravitojnë nxënësit më të mirë në këtë komunë, ka shënuar ditën e shkollës me aktivitete të shumta.
Fillimisht mysafirëve mirëseardhje u ka dëshiruar drejtori i shkollës, Bekim Mustafa, i cili ka theksuar se Gjimnazi natyror “Xhavit Ahmeti” po shënon edhe një vit suksesi nën emblemën e emrit të Xhavit Ahmetit, këtij kolosi të dijes e shkencës, këtij personaliteti madhor të përpjekjeve për liri e iluminim.
Duke u nisur nga emri që bartë me krenari Gjimnazi ynë, dua të falënderoj secilin koleg timin mësimdhënës për përpjekjet e punën e palodhshme për të ofruar dije e rrugëzgjidhje brezit të ri në hapat e tyre të rritës e zhvillimit shkencor e intelektual. Më lejoni, sinqerisht t’ju falënderoj për punën dhe rezultatet, pasi ajo shihet secilën ditë në rezultatet e nxënësve tanë.
Dua të falënderojë gjithë stafin tjetër të shkollës, për punën që secili po bën që nxënësve t’u ofrohen kushtet e duhura për mësimnxënie”, ka thënë Mustafa që nuk ka harruar strukturat drejtuese të Komunës, Kryetarin Haziri, Drejtorinë e Arsimit dhe gjithë ata që po na qëndrojnë pranë në misionin tonë të shenjtë.
“Kjo vazhdimësi e punëve të mira, bashkëpunimi e bashkëveprimi, sot po kurorëzohet edhe me Sallën e re të Kulturës fizike, që do të na mundësojë të rrisim jo vetë nxënës me dije e kulturë, po edhe të shëndetshëm e potencialisht sportistë që do ta përfaqësojnë Gjilanin e Kosovën.
Në këtë mënyrë, Gjimnazi ynë duke i pasur kushtet optimale për punë, dijen, përkushtimin dhe angazhimin e mësimdhënësve ; vullnetin e nxënësve dhe bashkëpunimin me gjithë faktorët mbështetës, do të rritet edhe më, në drejtim të sukseseve të reja në rrugën e dijes, dhe meqenëse këtu kemi elitën e Gjilanit; elitë dinjitoze do ta nisim në rrugën e konkurrencës dhe suksesit në Universitetet gjithandej vendit tonë e Botës”, tha Mustafa dhe shtoi se në rrugën e nisur do t’i mundim sfidat, çfarëdo qofshin ato dhe do të vazhdojmë përpara edhe më me përkushtim, me më shumë dashuri për dijen e punën, me më shumë bashkëveprim e bashkëpunim me strukturat qeverisëse e ato arsimore, prindërit dhe gjithë ata që do të jenë partner në rritën e zhvillimin tonë, prandaj ne gjithnjë kemi nevojë për të gjithë ju, të jeni edhe më pranë nesh, edhe më fuqishëm se deri më tani, që sukseseve t’u vëmë kurorë.
“Nuk mund të jetë ndryshe Gjimnazi që mban emrin e Xhavit Ahmetit. Nuk mund të jetë ndryshe Gjimnazi i gjilanasve. Nuk mund të jetë ndryshe Gjimnazi me nxënës të këtillë, edhe të jashtëzakonshëm. Nuk mund të jetë ndryshe ky Gjimnaz me kolegët e mi të shkëlqyeshëm”, tha drejtori Bekim Mustafa.
Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë për Arsim në Gjilan, pasi ka thënë fjalë miradije për punën që po bëhet në këtë vatër të diturisë, ka shtuar se kjo shkollë shumëherë ka dëshmuar se ka nxënës të mirë, me dije në të gjitha nivelet dhe se kjo ditë të gjithëve na bënë të lumtur.
Qemajl Ahmeti, vëlla i Xhavit Ahmetit, në emër të familjarëve, ka thënë se mburret me nxënësit e kësaj shkolle. Ai për bibliotekën e shkollës, ka dhuruar katër tituj me disa ekzemplarë, që janë vepra të kimistit tonë të mirënjohur Xhavit Ahmeti e ndër to pati edhe të atilla që janë të përkthyera nga ky autor.
Për të pasuruar bibliotekën e shkollës është përkujdesur edhe zëvëndësministrja për Kulturë, Rini e Sporte në Qeverinë e Kosovës, Leonora Morina – Bunjaku, e cila ka sjellë 100 tituj, duke mos harruar shkollën ku kishte punuar deri para marrjes së detyrës së re.
“Shfrytëzoj rastin t’i urojë dhe falenderojë të gjithë nxënësit dhe kolegët që gjeten gadishmëri dhe vullnet për ta përkrahur iniciativen e pasurimit të bibilotekës me libra të dhuruar nga ata dhe kthimin e profesoreshës të nderuar në mesin tonë – Diana Mustafa. Gjithashtu falenderojë piktorin Demush Haziri i cili me këtë rast na përkrahi duke dhuruar 100 libra nga biblioteka e tij për të cilën jam e sigurt që nuk e ka varfëruar sepse në të njejtën kohë e ka pasuruar një bibilotekë e cila do të vizitohet dhe lexohet nga brezat e rinjë.
Uroj në bashkëpunim të vazhdueshëm në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim, kulturë, rini dhe sport”, ka thënë në një urim të saj zëvëndësministrja për Kulturë, Rini e Sporte në Qeverinë e Kosovës, Leonora Morina – BunjakuNxënësit e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” kanë dhënë një program të larmishëm dhe kanë treguar dije nga shumë aktivitete shkollore. Programi është udhëhequr nga moderatorja e shkathtë dhe nxënëse e shkëlqyer Festina Kurteshi.Në orën letrare, të përgatitur nga aktivi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, është dhënë një program ku janë lexuar krijime letrare të shkruara nga vetë nxënësit. Janë paraqitur nxënësit Verona Rexhepi kl. XI/6, Donjeta Shabani XI/6 dhe Rreza Salihu nga kl XI/9, pastaj Blenda Shabani kl.XI/9, Valjeta Ahmeti kl. X/7 dhe Malisa Sadiku Kl . XI/6, sikurse edhe nxenesit Flakresa Kurteshi kl. XII/1, Enkeleda Spahiu kl. XII/6 dhe Leorant Sejdiu kl. XI/8.
Në këtë ditë të shënuar për Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” është përuruar edhe Biblioteka e Re, e pajisur me shumë tituj, që do të jenë në shërbim të nxënësve dhe në të cilën do të punojë profesoresha Diana Mustafa, e cila pas një mungese për shkaqe shëndetësore sërish është kthyer në vendin e punës, kurse kolektivi i saj e ka mirëpritur përzemërsisht.
Nxënësit e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” kanë dëshmuar dije edhe nga shkencat e natyrës, nga matematika, fizika, kimia, biologjia, informatika, astronomia , sikurse që në këtë ditë është përgatitur një ekspozitë kolektive me punime të nxënësve dhe nën përkujdesjen e profesoreshës, Magbule Xhemajli.Nuk kanë munguar as aktivitetet sportive në këtë ditë, ku janë ballafaquar në lojën e volejbollit Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe ai shoqëror “Zenel Hajdini”, në të dy konkurrencat dhe në të cilën ngadhënjyen natyrorët.