Sot, në zyret e Lëvizjees Vetëvendosje! në Gjilan, u mbajtë konferencë për media, si pasojë e zhvillimeve në seancën e para dy ditëve në Kuvendin Komunal. Seanca e fundit e cila u mbajtë më 31 tetor, u përcoll me një varg parregullësish dhe shkeljesh esenciale të ligjit për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës.
Kryetari i Qendrës së LVV-së në Gjilan dhe shefi i grupit të këshilltarëve komunal Nevzad Isufi tha se në mbledhjen e fundit të KPF-së ishin përcaktuar që në seancë të shqyrtonin dhjetë pika të rendit të ditës.
“Është ky mandati i dytë i këtij Kuvendi, i cili nuk ka arritur asnjëherë të harmonizojë planin e punës dhe zbatimin praktik të tij në Kuvend. Por, në këtë seancë nuk mjaftuan dhjetë pika të rendit të dditës, prandaj në fillim u propozuan edhe tri pika të reja, për dy prej të cilave materiali jo pak voluminoz (22 faqe) na u dha aty për aty, ndërsa për njërën pikë as që pati material”, ka thënë Isufi.
Ai tha se kjo ka shkaktuar shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, respektivisht neni 47, ku thuhet se shtimin e një pike në rendin e ditës gjatë seancës së rregullt mund ta kërkojë vetëm një anëtarë i Kuvendit dhe atë vetëm nëse cështja është urgjente. Ndërkaq, dy pika të rendit u kërkuan të shtoheshin nga dy drejtorë komunal, ku asnjëra prej të cilave nuk ishte urgjente.
Këshilltarja komunale Arijeta Rexhepi, shpalosi shqetësimin në emër të Lëvizjes, për shkatërrimin e pronës publike në fshatin Zhegër, ku kryetari i këshillit të fshatit, me vet iniciativë, pa marrë leje nga askush, ka filluar ndërtimin e parkingjeve ilegale.
“Sipas asaj që ne kemi parë në teren, këto parkingje do të shkaktojnë rrezik për këmbësorët, sidomos për fëmijët dhe nxënësit, pasi që veturat duhet të kalojnë nëpër trotuar për tu parkuar. Më datë 24 maj kë këtij viti, pas ankesave të banorëve të Zhegrës janë ndërprerë punimet nga Drejtoria e Inspekcionit dhe është urdhëruar që kryetari i Këshillit të fshatit Zhegër, i cili njëherit është edhe asambleist, që në afat prej 30 ditësh ta rikthejë pjesën e dëmtuar në gjendjen e mëparshme. Por, edhepse kanë kaluar pesë muaj që nga ky vendim, aty nuk është bërë asgjë”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi ka kërkuar që të rizgjedhen personat e merituar në krye të këshillave të fshatrave dhe jo militantë të LDK-së që marrin guximin të bëjnë cfarë të duan me pronën publike, sepse e dijnë që e kanë mbështetjen e kryetarit të tyre.
Ndërkaq, lidhur me gjithë shkeljet e seancës së fundit, Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, ka thënë se do të kërkojë interpretim ligjor nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.