Vendimi i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan për ndalimin e të gjitha organizimeve kolektive të parambrëmjeve të maturës ka nxitur reagime të ndryshme.
Derisa shumë nga qytetarët e mirëpritën këtë vendim, janë nxënësit ata që kanë kërkesa për organizime të tilla, ku përmes argëtimit të përbashkët shënojnë përfundimin e rrugëtimit të tyre, si nxënës të shkollës së mesme.
Këshilltarja e Kuvendit Komunal në Gjilan, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Rina Ahmeti, e ka vlerësuar si pozitive urdhëresën e DKA-së për ndalimin e parambrëmjeve, duke iu referuar edhe ankesave të prindërve për shpenzime të panevojshme të nxënësve, sidomos në vitin e fundit të shkollimit të mesëm.
Ajo ka thënë se nxënësit do të duhej të mendonin pak më shumë rreth studimeve dhe kapitullit të ri që do ta nisin, për çka, sipas saj, do të determinojë profesionin e tyre në të ardhmen.
‘Është e vërtet që klasa e 12-të shënon fundin e shkollës së mesme, por ata janë shumë afër një fillimi të ri, të rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tyre. Prandaj, ky është momenti kur duhet të përzgjedhin profesionin e së ardhmes, sepse atë që do ta studiojnë do i përcjellë gjatë gjithë jetës’, ka thënë Ahmeti.
Ajo shtoi se duke marrë parasysh moshën e nxënësve do të ishte më e rrugës të mendonin për investimin e tyre për të ardhmen, përgatitjen për fakultet, orientimin e tyre në karrierë dhe përgatitjen për degën që do ta studiojnë.
‘E kuptoj dëshirën për nxënësit e vitit të fundit dhe kanë të drejtë, por ata duhet të organizojnë vetë aktivitete të tjera me çmime më të lira, sepse edhe prindërit çdo ditë ankohen për kërkesa obligative në shkollë dhe pastaj kërkojnë mënyra të ndryshme për t’i siguruar të hollat vetëm për të mos i ndarë fëmijët nga të tjerët. Konsideroj se parambrëmja dhe shpenzime shtesë për këtë natë janë të panevojshme”, ka thënë ajo.
Ahmeti, e cila është edhe kryetare e Forumit Rinor në LDK-së, thotë nxënësit maturantë mund të organizojnë aktivitetet më kreative dhe më pak të kushtueshme, si shembull në fushat e kulturës, artit, sportit…
“Ata mund të organizojnë turnire sportive, të mblidhen në një piknik në natyrë me klasë apo shkollë. Ata mund të bëjnë organizime së bashku për ta ndjekur një shfaqje në ndonjë teatër, një organizim kulturor tjetër. Mund të përfshihen në aksione humanitare apo aksione të frytshme për ta dhe komunitetin. Nxënësit mund të jenë më kreativë se kaq, unë e di se Gjilani ka nxënës të shkëlqyer të cilët shënimin e fundit të maturës mund ta organizojnë ndryshe’, ka thënë Ahmeti.
Përndryshe. më 29 tetor, Drejtoria Komunale e Arsimit bëri publike urdhëresën për të gjithë drejtorët dhe mësimdhënësit e të gjitha institucioneve edukativo – arsimore, e cila ndalon të gjitha para-mbrëmjet në formë të organizuar brenda dhe jashtë hapësirave shkollore. /Elife Sherifi/