Shkruan: Ardian Azemi
Serbia mbetet po e njëjta si në kohën millosheviqiane. O e shikove nga këndi i Kosovës, o nga këndi i perendimorëve dhe evropianëve, kemi një Serbi të njëjtë me atë të Millosheviqit.
Pak vende në botë ekzistojnë që edhe pas gjitha luftrave dhe gjenocidit të shkaktuar mbi një ose më shumë popuj, dhe kanë vazhduar të kenë mendësinë e njëjtë. Serbia vazhdon përveq se ta ruaj, edhe ta kultivoj urrejtjen ndaj Kosovës dhe popullit shqiptarë, anipse këta të fundit në një formë ose tjetrën, deklarohen për pajtim, gjithnjë duke qenë viktimë përgjat një shekulli e më shumë.
Pavarësisht përpjekjeve për ti normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, madje duke shkelë dhe injoruar çdo marrëveshje dhe dakordim ndërmjet palëve në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, por edhe duke u kushtëzuar vazhdimisht nga shtete të fuqishme edhe perendimore edhe evropiane, Serbia këmbëngul ta pengoj Kosovën pwr anëtarësim në çdo mekanizëm ndërkombëtar, bile duke i korruptuar edhe disa shtete në mënyrë që të tërëheqin njohjen e Kosovës shtet. Kosova ka dështua kundrejt Serbisë, sikurse Serbia kundrejt të ardhmes saj.
Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë; s’ka integrim të Serbisë pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. I njëjti qëndrim i prerë nuk është edhe tek vendet tjera, madje as në ShBA. Amerikanët nuk e kanë thjeshtë preokupim vetëm çështjen e Kosovës, por kjo nuk domethënë se janë edhe pa vëmendje këndej pari. Amerika kërkon stabilitet në Ballkanin Perendimor, çka bëjnë shtetet me rregullimin e brendshëm, kjo mbetet çështje mes shteteve me probleme të hapura.
Pra, është e vërtetë se amerikanët mund të pranojnë çfardo zgjidhje që palët e përfshira në dialog arrijnë, por në të njëjtën kohë, nuk lejojnë ti preken interesat në Ballkan. Nëse për Amerikën paraqet problem ndryshimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, kjo punë nuk bëhet. Nëse për amerikanët nuk paraqet ndonjë shqetësim kjo temë, atëherë varet nga pala shqiptare sesi e menaxhon dialogun dhe ku këmbëngul e çka lëshon. Një gjë është e qartë; ashtu siç edhe është thënë së fundmi, Amerika nuk ka kohë të pres në pafundësi që faktori politik në Kosovë të unifikohet rreth dialogut.
Mungesa e unitetit politik përkitazi me këtë çështje, deshëm ose jo ta pranojmë, e ka trimrua Serbinë dhe i ka hap terren për të lobuar kundër Kosovës. Shqiptarët e kanë shansin ta mposhtin politikën serbe vetëm nëse arrijnë ti kapërcejnë ndasitë dhe të gjejnë një formulë të pranueshme bashkëpunimi e bashkërendimi për tema të mëdha, tema të cilat po nuk u përmbyllënn sot në favor të Kosovës, për një kohë tjetër edhe do të jenë të vështira por edhe të zbehta, madje si tema janë të lidhura në hallka, dhe njëra pa tjetrën as nuk bëhen mirë e as sigurtë.
Jemi të vonuar ti nxjerrim kushte bashkësisë ndêrkombëtare. Jemi të vonuar sepse moti jemi nënshtruar. Jemi nënshtruar sepse kemi pranuar kësisoj. Është koha me bê atë që ka mbetë të bëhet dhe që është e mundur të bëhet. Serbia nuk ndryshon politikën e saj karshi Kosovës, përkundrazi, ajo vetëm sa e ashpërson luftën diplomatike kundër realitetit të ri në Kosovë. Ne nuk guxojmë ti japim qetësi vetes dhe të presim se Serbia do të ndryshoj politikën e saj kundrejt Kosovës.
Politika e Kosovës, pozitë e opozitë, duhet vepruar shpejtë e bashkë, seriozisht e strategjikisht, vendosshmërisht e përnjëmend. Është koha e fundit kur duhet ta bëjmë ndryshe, të unifikohemi sepse kësisoj është thuajse shansi i vetëm për ta ndal vrullin e Serbisë kundër Kosovës.
Serbia me politikat e saj kundër Kosovës, nuk ndalet dhe nuk ka me u ndal përmes reagimeve në rrjete sociale nga Prishtina. Serbia ndalet dhe bota bindet vetëm kur ne jemi të unifikuar dhe kur dijmë çka realisht duam.