Meqë kthimi kolektiv në shtëpitë e tyre i shqiptarëve të dëbuar nga Lugina e Preshevës, nuk ndodhi asnjëherë, tash e 17 vite, sepse nuk u krijuan kushte as minimale që ky proces të realizohet, tani ka ardhur koha që Lugina e Preshevës t`i kthehet trungut të saj.
Shkruan: Ilmi MUSLIU
Marrëveshja e Konçulit (2001), e arritur ndërmjet përfaqësuesve politikë-ushtarakë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zyrtarëve të Beogradit, e ndërmjetësuar dhe garantuar nga faktori ndërkombëtar, nuk u zbatua në pjesën më të madhe të saj nga Serbia, e cila gjithmonë ka ditur t`iu shmanget obligimeve të tilla, kur janë në pyetje shqiptarët, siç po vepron edhe me Kosovën.
Kthimi kolektiv në shtëpitë e tyre i shqiptarëve të dëbuar nga Lugina e Preshevës, nuk ndodhi asnjëherë, tash e 17 vite, sepse nuk u krijuan kushte as minimale që ky proces të realizohet. Shumica e kësaj popullate vazhdon të jetojë në rajonin e Gjilanit dhe gjetiu nëpër Kosovë, me shumë probleme të pazgjidhura të banimit, punës, dokumenteve personale dhe të tjera.
Qëllimi i marrëveshjes ishte që lufta për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të vazhdohet tutje me mjete politike. Kështu kishin shpresuar asokohe edhe krahu politik dhe ushtarak në Luginën e Preshevës.
Ata besonin në ngritjen e një policie shumë etnike, ku do të kishte hapësirë të mjaftueshme edhe për të rinjtë shqiptarë, që duhej të ktheheshin në vatrat e tyre, pasi lufta kishte përfunduar. Marrëveshja parashihte amnisti për të gjithë. Shpresat e faktorit shqiptar në Luginë, mbështeteshin më tepër te faktori ndërkombëtar, se sa te Beogradi.
Mbi këtë marrëveshje, pala shqiptare e bëri plotësisht demilitarizim, ndërsa serbët nuk iu përmbajtën marrëveshjes për tërheqjen e ushtrisë në pozicione paqësore, tërheqjen e të gjitha forcave speciale të policisë dhe vendosjen në terren të policisë lokale multietnike, e cila do t`i përgjigjej strukturës nacionale të popullsisë në këtë rajon.
Madje, pas nënshkrimit të marrëveshjes paqësore, forcat serbe reaguan duke vrarë Ridvan Qazimin (komandant Leshi), duke u përpjekur fillimisht që rastin ta paraqesin si konflikt mes shqiptarëve. Më vonë, Beogradi tha se komandant Lleshi ishte vrarë në një konflikt ndërmjet pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe forcave serbe. Në ato momente, komandant Lleshi kishte dalë në terren, jo për të luftuar, por të ndikuar në qetësimin e situatës.
Sidoqoftë, lufta e armatosur ri-solli në vëmendjen e faktorit ndërkombëtar çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqiptarët ishin të vetëdijshëm për mungesën e mirëkuptimit nga qeveria e Beogradit, por ata ishin të vendosur që përmes një procesi politik t`i zgjidhin të gjitha problemet dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre.
Kthimi i madh i popullatës së zhvendosur, i planifikuar për 2 qershor të atij viti, nuk ndodhi as atëherë dhe asnjëherë tjetër më vonë.
Tani ka ardhur koha që Lugina e Preshevës t`i kthehet Kosovës. Ky është edhe vullnet i popullit të saj, i cili dhunshëm ishte ndarë prej trungut të saj. Por, populli i këtushëm nuk dëshiron që Kosova të paguaj ndonjë çmim të paarsyeshëm, për të rimarrë diçka që ka qenë e saj.