Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri është shprehur skeptik për liberalizim të vizave për këtë vit. Madje ai për Ekonomia Online ka thënë se Kosova nuk do të marr datë për heqjen e vizave para muajit majit të vitit të ardhshëm.
Haziri thotë se gjatë takimit ma Partitë Popullore Evropiane në Helsinki, nuk kanë pa diskonim që Kosova të jetë pjesë e agjendës këtë vit.
Ai ka akuzuar koalicionin qeverisës se ka dështuar të ndërtojë konsensus për dialog e po dështon ta marr edhe liberalizimin e vizave.
“Unë sapo jam kthyer me delegacionin e LDK-së prej Helsinkit. Ka qenë kongresi i Partive Popullore Evropiane. Partitë Popullore Evropiane e udhëheqin Evropën, nuk kam parë në asnjë takim me asnjë autoritet që Kosova mund të dal suksesshëm në Këshillin e Ministrave në dhjetor të këtij viti. Fatkeqësisht problemi është në Prishtinë, lidhet me agjendën e fundit që është kërkuar në shtyllën e sundimit të ligjit që Kosova me i zbatuar të gjitha obligimet”.
“Kriteret teknike janë plotësuar por kriteret shtesë që janë lënë në Prishtinë, nuk kanë arrit suksesshëm me u implementuar. Tendenca që Qeveria me rikuperuar gjatë këtyre ditëve tu përfshi edhe kërkesa për seancë të jashtëzakonshme edhe për mekanizëm të shpejt të miratimit të ligjeve që dalin nga pako e ERA-s dhe këto janë tendenca me ndihmuar që Këshilli i Ministrave Kosovën me fut në agjendë. Unë jam skeptik që Kosova do të marr datë para majit të vitit të ardhshëm”.
“PAN-i si koalicion qeverisës ka dështuar me ndërtuar konsensus për dialog dhe po dështon me marr datën e liberalizimit të vizave, nuk e di se çka duhet më shumë me ndodhë në Kosovë që me shkaktuar zgjedhje të hershme me marrëveshje. Apeli im është që të ulemi partitë e shumicës në tavolinë të merremi vesh për proceset e rëndësishme të këtij vendi dhe për datën e hershme të zgjedhjeve për Kuvend”.
Kreu i Gjilanit, thotë se opozita është e angazhuar për rrëzim të Qeverisë, derisa potencoi që mirëpresin secilën parti përfshirë edhe Listën Serbe, raporton EO.
“Ne po e bëjmë punën tonë, ne jemi opozitë, ne po angazhohemi qe ose me marrëveshje politike me shkaktuar zgjedhje të hershme tu përfshi edhe listën e proceseve të mëdha ku hyn edhe dialogu ose me mocion mosbesimi, në njërën prej rrugëve ne kemi me dal suksesshëm. Ne nuk i bashkohemi iniciativave të askujt përkundrazi ata mund t’i bashkohen iniciativës së LDK-së që është marrë gjatë këtij viti, një iniciativë që është bashku Vetëvendosja dhe PSD-ja”.
“Gjithë të tjerët që duhet me u bashku unë mund të ju them se adresa është në katin e tretë të Kuvendit të Kosovës tek Grupi Parlamentar i LDK-së mund të lajmërohen mund ta nënshkruajnë mocionin e mosbesimit”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ndërkaq lidhur me pritjen që ju bë presidentit Hashim Thaçi në Francë, ai tha se një pritje e tillë i është bërë Kosovës dhe jo presidentit si emër i përveçëm.
“Kështu që këtë manifest me trajtimin protokollar që i ka bë Kosovës në Francë është për tu përshëndetë. Nuk ju ka bërë një emri të përveçëm nuk lidhet me një njeri, lidhet me presidencën, lidhet me Kosovën. Aty është përfaqësuar Kosova dhe takimet që kanë qenë në kuadër të kësaj i shkon në këto margjina”.
“Tendenca me kthyer kulturën dhe orientimin euroatlantik të Kosovës nuk mund ta shkaktoj asnjë parti politike as një njeri në Kosovë. Më tutje atë që e kemi bë bashkërisht si popullatë kolektivisht dhe jo vetëm që Kosova por edhe shqiptarët në Ballkan orientimin euroatlantik e kanë orientim njëkahor është i pathyeshëm dhe i pakthyeshëm”, tha Haziri.