Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala publikoi sonte një fotografi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku shkruhej 100% dhe tregonte qartazi përkrahjen e Ramës për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe. E ky qëndrim i Ramës dhe publikimi i kësaj fotografie bëri që të reagojnë mediat serbe.
Madje ndër të tjerash në raportimin e tyre thuhet se fotografia e Shalës me Ramës ‘tronditi’ të gjithë serbët.
“Shala shkroi 100% dhe është e qartë se ky vendim po shijohet, ndërsa për shkak të këtij vendimi qindra njerëz në Mitrovicë kanë probleme të ndryshme. Njerëzit atje nuk kanë ilaçe, oksigjen në spital dhe qumështi tashmë është zhdukur. Dhe kjo gjë është qesharake nga ana e tij dhe Ramës”, raporton telegrafi.rs, transmeton Indeksonline.
Ndryshe vendosja e taksës 100% u propozua në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe u morr si vendim në mënyrë unanime.
Taksa në fillim ishte vendosur vetëm 10% por pas pak ditësh ajo u shumëfishua në 100%. Kësisoj vendimi për taksën ngjalli reagime të ndryshme tek udhëheqësit serb por edhe tek ndërkombëtarët të cilët kërkuan largimin e saj, përderisa vendimi në fjalë gjeti përkrahje tek qytetarët kosovarë.
Taksa në fjalë sipas kryeministri Ramush Haradinaj do të vazhdoj të jetë e njëjtë deri në njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.