Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Kujtim Shala, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur taksë 100 % për produktet e Serbisë dhe Bosnjes dhe Hercegovinës është një veprim politik dhe nuk lidhet me tregun.
Shala duke komentuar pë vënien e taksës 100 për qind, ka thënë se kjo taksë është akt politik pas dështimeve të fundit të Qeverisë Haradinaj dhe ministrit të Jashtë, Behgjet Pacolli, për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Së pari, t’iu rikujtoj se ky vendim i Qeverisë u mor një ditë pasi ne dështuam të anëtarësohemi në INTERPOL dhe si i tillë është një akt politik me pretendim që të ketë një ndikim po politik brenda Kosovës. Besoj që është akt i thjeshtë por i zgjedhur dhe ka patur atë ndikim meqë tema themelore, dështimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, është zhvendosur totalisht. Një taksë do të duhej të shpjegohej si problem i tregut, por taksa e tillë nuk është e asaj natyre, meqë është akt politik dhe veprim politik. Me sa duket, taksë të tillë dhe veprime të tilla, praktika nuk njeh – taksë 100 % nuk ka por vendet aplikojnë mekanizma të tjerë, si sanksionet embargo dhe të tjera””, tha Shala.
Shala po ashtu ka thënë se Qeveria duhe të japë shpjegimet në mbrojtje të këtij vendimi, pasi kundër kësaj takse kanë dalur SHBA’të Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian.
“Duhet të kemi parasysh dy çështje, e para që Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian me përfaqësuesit kryesorë ka dalë kundër meqë e lexon si akt politik dhe qëndrim të kësaj natyre, pak më të butë, kanë dhënë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Serbia që është pala tjetër ka arritur, për fat të keq, të krijojë përshtypjen se kjo taksë është vënë mbi bazën e diskriminimit etnik, ose më shqip, që kjo taksë është vënë për serbët e Kosovës. Dhe kjo kudo lexohet si tip diskriminimi. Në këtë rrafsh, në këtë tip intepretimi, situata nuk është aspak e thjeshtë dhe Qeveria e Kosovës duhet të përpiqet të shpjegojë”, tha Shala në Zona e Debatit.
Nënkryetari i Kuvendit ka thënë po ashtu se nuk ka shumë rëndësi, nëse partitë tjera e mbështesin ose jo, vendosjen e taksës 100 % për produktet e Serbisë dhe Bosnjes dhe Hercegovinës.