Shqipëria dhe Kosova janë ende shumë larg e të qenit një treg i përbashkët, pavarësisht se si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë politikanët e kanë përdorur shpesh kartën e patriotizmit, përfshirë atë ekonomik, për qëllimet e tyre elektorale.
Ky ka qenë konkluzioni i përfaqësuesve të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DHTI) në Tiranë, Nikolin Jaka, qeveritë në të dy anët e kufirit e kanë zëvendësuar bashkimin doganor me taksa private që vijnë nga koncesionet.
Nga një analizë që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë i ka bërë qarkullimit tregtar me Kosovën dhe anasjelltas, për kamionët që transportojnë mallra me vlerë nga 1 mijë deri në 20 mijë euro, vetëm kostoja nga tarifat private të koncensioneve pa përfshirë taksat doganore (TVSH-ja plus taksat e tjera) arrin në 280 euro për çdo kamion.
Në këtë vlerë përfshihet tarifa prej 45 eurosh (vajtje-ardhje) që kamionët paguajnë te stacioni i pagesës në Rrugën e Kombit, tarifa e skanimit në doganën e Shqipërisë, tarifa e terminalit doganor në Kosovë, si dhe kosto të tjera nga procedurat burokratike.