Kryeinspektori i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Lulzim Syla ka konfirmuar se deri më tash Inspektorati ka gjobitur disa pronarë të furrave në gjithë vendin pasi kanë shitur bukë nën peshën e lejuar. Sipas tij, aksioni për kontroll të furrave do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, shkruan sot “Zëri”.
Pronarët e furrave në Kosovë, që kanë filluar t’i ngrenë çmimet e bukës, duhet të mendojnë edhe për gjobat që i presin. Inspektorati i Tregut, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj bizneseve të papërgjegjshme që kanë ngritur çmimet e bukës.
1 mijë euro është gjoba potenciale e cila mund t’u shqiptohet atyre në rast se nuk e shesin bukën sipas deklarimit ose peshës që përmban.
Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë është duke vazhduar aksionin për monitorimin e çmimeve të bukës nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
Kryeinspektori i Tregut në këtë institucion, Lulzim Syla, ka treguar për gazetën “Zëri” se kanë filluar edhe me shqiptimin e gjobave. Gjoba maksimale që mund t’u shqiptohet atyre sipas Sylës arrin deri në 1 mijë euro.