Me aktivitete të ndryshme sot në Kosovë shënohet 3 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Shoqatat dhe pjesëtarët e kësaj kategorie thonë se personat me aftësi të kufizuara në Kosovë janë diskriminuar, sidomos në konkurset e punësimit. Ata shprehen të pakënaqur edhe me mungesën e infrastrukturës nëpër institucione publike si dhe kushtet e shkollimit.
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, 3 dhjetori, sikur në gjithë botën, tash e disa vite shënohet edhe në Kosovë.
Mirëpo, përveç shënimit të kësaj date me aktivitete ditore, personat me aftësi të kufizuar ankohen se nuk po u krijohen edhe kushte të mirëfillta për jetesë. Faruk Kukaj, nga Shoqata e personave me aftësi të kufizuara, HANDIKOS, qendra në Prishtinë, tha për Radio Kosovën se institucionet e vendit ofrojnë disa kushte për shkollimin e fëmijëve por jo edhe nevoja të tjera.
“U ofrohet diçka në fushën e edukimit për fëmijë, ndërsa për ata më në moshë ende nuk ka të rregulluar diçka. Ndërsa shkollimi i nivelit të lartë nuk ka asgjë, në fushën e punësimit tmerrësisht është gjendja, shëndetësi shumë pak, për qasje në infrastrukturë apo qasje fizike në përgjithësi në Kosovë është katastrofë” ka thënë Faruk Kukaj.
Ndërsa, për të bërë jetë të dinjitetshme personat me nevoja të veçanta, Kukaj thotë se duhet ta kenë familjen shumë të pasur, meqë, sipas tij, të gjitha kushtet duhet të plotësohen me pagesë vetanake.
“Një mesazh i imi kish me qenë që, institucioneve apo gjithë shtetit të Kosovës, që mos të na lënë anash dhe të mendojnë për neve dhe le të veprojnë jo vetëm të mendojnë e me lë në letër, por le të veprojnë, se edhe ne jemi qytetarë dhe shtetas të Kosovës dhe kemi të drejta sikur të gjithë të tjerët” tha Kukaj.
Ndërsa, Mexhid Foniqi, nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, thotë se kjo kategori problemin më të madh e ka me mungesën e shkrimit me alfabetin e Brajllit. Sipas tij, janë rreth 60 persona të diplomuar në arsimin e lartë në Kosovë e që janë të papunë.
“Nuk ofrojnë asnjëfarë qasje, asnjëfarë mundësie teknike për personat qoftë të verbër, qoftë edhe me dëmtime fizike. Përderisa te të verbrit është problemi me literaturë, meqenëse shkrimi i Brajllit është i vetmi shkrim alternativ për personat e verbër, mungesa e këtij alfabeti e privon nga e drejta e shfrytëzimit të literaturës tjetër e rëndomtë, ose bardhe e zi ose e rrafshët siç quhet” ka thënë Foniqi.
Foniqi thotë se personat e verbër ose me shikim të dobësuar e kanë një kërkesë për shoqërinë.
“Brenga më e madhe e jona, e shoqatës dhe e të gjithëve është punësimi i tyre. Ende ekzistojnë paragjykimet se personi i verbër ose personi me aftësi të kufizuara nuk është në gjendje me qenë kontribuues për shoqërinë, e ky është një gabim shumë i madh, sepse zakonisht ne e përdorim një moto: zbulo aftësitë, krijo mundësitë” tha Foniqi.
Aktualisht në Kosovë janë të regjistruar rreth 5 mijë persona të verbër dhe me shikim të dobësuar, dhe rreth 100 mijë persona me aftësi të kufizuara. Mirëpo, në bazë të ligjeve në Kosovë, kompensim material përfitojnë vetëm 2500 persona me verbërim mbi shkallën 95 për qind, kurse të tjerët përveç disa përfitimeve ose lehtësimeve të vogla institucionale, nuk marrin asnjë lloj benefiti./rtk/