Liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodhë në vitin 2020 ose edhe pak më herët. Kështu ka deklaruar gjatë vizitës që ka zhvilluar në Prishtinë komisioneri për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit i BE-së, Johannes Hahn.
“Puna është kryer nga Kosova dhe ishte radha jonë ta implementojmë heqjen e vizave. Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit, ndërsa tashmë çështja ndodhet te Këshilli i Ministrave të BE-së. Kam besim se viti 2020 është më realisti për liberalizim, por mos u bëni peng i numrave”, ka thënë Hahn.
Duke pasur parasysh këtë mesazh të komisionarit Hahn, njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se liberalizimi nuk do të ndodhë para vitit 2020.
“E vërteta është që BE asnjëherë nuk ka dhënë data për liberalizim te vizave. Edhe dje Komisioneri Hahn ka thënë që ndoshta në vitin 2020 por ka thënë që mos të mbetemi peng të datave. Siç e tha edhe vetë z. Hahn, kjo mund të nënkuptoi që liberalizimi mund të ndodhë më herët por më realiste sipas tij mbetet viti 2020. Duke pasur parasysh se si kanë shkuar proceset deri më tani, atëherë lirisht mund të themi që liberalizimi nuk do të ndodhë para vitit 2020”, ka thënë për Telegrafin, Valmir Ismaili nga Demokracia Plus.
Ai më tej shtoi se ngecja e procesit për liberalizimin e vizave, është më shumë faj i institucioneve vendore sesa i BE-së.
“Nëse politika kosovare do të ishte më efikase dhe konsistente në qëndrimet e veta, liberalizimi i vizave do të ndodhte shumë më herët. Fatkeqësisht, më shumë si pasojë e paaftësisë e shpesh edhe për shkak të inateve personale të politikës kosovare, procesi i liberalizimit të vizave nuk ka ndodhur. Aktualisht, situata është pak më e komplikuar në BE dhe si duket nuk ka një disponim të brenda BE-së që të ketë një liberalizim të vizave për Kosovë. Sidoqoftë, përkundër asaj se çfarë është disponimi në vendet e BE-së, vonesat e liberalizimit të vizave për Kosovë duhet t’i atribuohen në masën më të madhe politikanëve vendor, e shumë më pak BE-së”, tha Ismaili.
Duke folur rreth kërkesës së partive opozitare për dorëheqje të Qeverisë Haradinaj, Ismaili shtoi se opozita ka gjithmonë të drejtë të kërkojë zgjedhje, duke shtuar se së fundmi është vërejtur edhe një ndarje e opozitës, që sipas tij PSD dhe Alternativa po ‘flirtojnë’ me partitë në pushtet.
Përkundër kësaj, Ismaili shprehet se Qeveria nuk do ta arrijë ta dërgojë deri në fund mandatin e saj.
Duke pasur parasysh vështirësitë që ka Qeveria, ku në shumicën e rasteve nuk po munden të kenë shumicën e thjeshtë në Kuvend, atëherë forcohet edhe më shumë legjitimiteti i kërkesës për zgjedhje të parakohshme. Sidoqoftë, kohëve të fundit vërehet që ka një ndarje të opozitës, ku PSD dhe Alternativa po ‘flirtojnë’ me partitë në pushtet. Ajo çka mund të thuhet qysh tani është që kjo qeveri do ta ketë shumë të vështirë që ta dërgojë mandatin deri në fund”, u shpreh Ismaili.
Në anën tjetër, Artan Murati nga KDI ka theksuar se komisioneri Johanes Hahn, dje ka kumtuar lajmin që ka qenë i ditur tash e dy muaj.
“Hahn kumtoi një lajm i cili pak a shumë veç ka qenë i ditur tash e dy muaj, sepse agjenda e Këshillit të Ministrave caktohet më herët, dhe se do të kishim pranuar indikacione se jemi pjesë e agjendës, po të ndodhte një gjë e tillë. Afati për 2020 është real dhe i logjikshëm, pasi që pa përfunduar mandati i institucioneve aktuale të BE-së, pra Parlamentit e Komisionit, nuk do të ketë vendimmarrje”, ka thënë Murati për Telegrafin.
Ai ka theksuar se në pranverë mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, dhe më pas BE hyn në periudhën e konstituimit institucional pas zgjedhjeve.
“Tek kur të konstituohet legjislatura e re e Parlamentit dhe të formohet Komisioni, mund të ketë vendimmarrje. Rreziku pas zgjedhjeve qëndron se kush do të fitoj shumicën në Parlament. Deri më tani Parlamenti ka qenë promotor i idesë për liberalizim të vizave për kosovarët, por një gjë e tillë nuk është më e garantuar nëse forca politike me qasje euro-skeptike ose nacionaliste marrin pushtetin”, u shpreh Murati.
Sipas tij, problemi për mos liberalizim nuk ka emërues të përveçëm.
“Institucionet e Kosovës janë vonuar shumë për të plotësuar kriteret për liberalizim. Po të përfundonte ky proces në 2015, rrethanat në BE kanë qenë tjera dhe vendimmarrja do të ishte më e lehtë. Në anën tjetër, BE nuk është duke pasur ide as strategji si të procedoj me Ballkanin, e sidomos jo me Kosovën. Një qasje jo-koherente po shkakton kokë-dhembje në Bruksel e Prishtinë”, theksoi Murati.
Sipas Muratit, është e drejtë të kërkohet llogari për këtë dështim, por sipas tij nuk ka emërues të përveçëm si fajtor për mos liberalizim.
“Në Kosovë bëhet fushatë me liberalizim që nga viti 2008. Kjo përveç se është e turpshme, është edhe e dhimbshme se si trajtohen qytetarët e vendin nga politikanët që i kanë votuar vetë, por edhe nga ata në BE”, u shpreh ai.
Kujtojmë se rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, erdhi në korrik të këtij viti, ndërkaq, votimi në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në muajin shtator. /Telegrafi/