Drejtorët e shkollave dhe prindërit e kanë mirëpritur vendimin e Ministrisë së Arsimit për ndalimin e përdorimit të telefonave mobilë nga nxënësit dhe mësimdhënësit në gjitha institucionet e arsimit para universitar në Kosovë. Ndërsa njohësit e kësaj fushe përveç se janë skeptikë në realizimin e këtij vendimi, e cilësojnë edhe të pa menduar mirë, duke pasur parasysh se ministria kërkon shkollim digjital dhe investon në aplikacione online.
Ministria e Arsimit para pak ditësh mori vendim për ndalimin e përdorimit të telefonave mobilë nga nxënësit dhe mësimdhënësit në të gjitha institucionet e arsimit para universitar në Kosovë.
Drejtoresha e shkollës Fillore të Mesme të Ulët” Faik Konica” në Prishtinë, Gjylie Bala, tha për Radio Kosovën se vendimi i ministrit është i qëlluar dhe të gjithë nxënësit dhe prindërit janë të informuar në lidhje me ketë vendim.
“E kemi pritur si diçka të veçantë ketë vendim, që më në fund u bë diçka e mirë. Sepse përdorimi i telefonave në shkolla nga ana e nxënësve ka ndikuar në procesin mësimor, koncentrimin dhe përkushtimin e tyre në klasë. Ne do t’i njoftojmë po edhe me herët i kemi njoftuar prindërit se për çka do që kanë nevojë, për çdo shërbim mund t’i kryejnë përmes drejtorisë se shkollës” , tha Bala.
Vendimi është i qëlluar dhe pritet të ndikojë pozitivisht në suksesin e nxënësve, sepse deri me tani ka pasur raste të keqpërdorimeve nga ana e nxënësve. Kështu thanë disa prindër të intervistuar nga Radio Kosova.
“ Vendimi është shumë i qëlluar, se përveç kohës që e humbin në shtëpi, mos ta humbasin kohën edhe në shkollë, sepse do ta përdorin edhe për gjëra të ndryshme. Se nuk e përdorin vetëm për të komunikuar me prindërit, por përdoret edhe për gjera të tjera nga ana e nxënëseve. E përkrahim ketë vendim, është keqpërdorur vetëm për të keq nga nxënësit. Për të komunikuar me prindërit ka zgjidhje të tjera. Është bërë shumë mirë që është marrë ky vendim”.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti “Edguard”, tha për Radio Kosovën se vendimi nuk është i qëlluar kur dihet se ministria harton strategji për shkollim digjital. Sipas tij, zbatimi i këtij vendimi do të jetë i vështirë duke marrë parasysh se edhe gjatë procesit të testit të maturës ka qenë e pamundur të menaxhohet situata e jo kjo të ndodhë për çdo ditë.
“ Është shumë paradoksale ku ministria në dokumentet e veta strategjike thirret në shkollimin digjital, investon në zhvillim të aplikacioneve online dhe në të njëjtën kohë ndalon përdorimin e telefonit. Suksesi i këtij vendimi nuk është vendimi që është marrë, por, zbatimi i tij, dhe për diçka të tillë jam shumë skeptik. Deri sa ishte i vështirë të ndalohej përdorimi i telefonave në një proces të vëzhguar si ai i testit të maturës, çka mund të presim në menaxhim të përditshëm të këtij vendimi”, tha Qehaja.
Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, vlerësoi se ky vendim erdhi pas analizës që është bërë dhe pas raportimeve dhe ankesave për keqpërdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor.
“ Ky vendim është marrë pas një analizë të përgjithshme që është bërë brenda ministrisë. Kemi pasur shumë sugjerime, shumë vërejtje, që kanë ardhur qoftë nga prindërit qoftë nga menaxhuesit e shkollave se po keq përdoren shpesh telefonatë dhe po bëhen pengesë për mbarëvajtjen e mësimit”, tha Bytyqi.
Keqpërdorimi i telefonave mobilë, sipas Ministrisë së Arsimit, përveç që është bërë çdo ditë nga ana e nxënësve më i dukshëm është bërë gjatë testit të maturës dhe atij të arritshmërisë./rtk/