Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Demaj pas vrasjes në detyrë të policit nga Istogu, Izet Demaj.
“Me trishtim e mora lajmin për vrasjen në detyrë të policit Izet Demaj, i cili ishte në mbrojtje të qytetarëve të Istogut. Ke qenë hero në luftë, u bëre hero edhe në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Demaj, kolegëve, miqëve e farefisit. Lamtumirë, miku im!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Haziri, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Përndryshe, të enjten në Istog dy persona të armatosur ishin nisur për një nga bankat në qendër të Istogut, ku dyshohet se do të kryenin një grabitje. Aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me armë zjarri, ndërroi jetë polici Izet Demaj.