Sociologun Avni Rudaku, rreth fenomenit të grabitjeve me armë, pasi që ngjarje të tilla kanë tronditur mbarë opinionin publik, institucionet e shtetit dhe për të shtunën është shpallur edhe Ditë Zie në Kosovë, për policin-hero të ligjit. Sipas tij, fenomeni i grabitjeve me armë nëpër shtepi e banka është rezultat edhe i kumarhaneve që kanë marrë dhenë. Është një gjendje kaotike dhe e frikshme. Qytetarët e vendit po ndjehen të rrezikuar. Ata janë të pambrojtur nga hajnat, shkruan Kosova Post
KOSOVA POST: Z. Rudaku, që në fillim, po ju pyesim: Pse ndodh grabitja me armë në pikë të ditës?
Rudaku: Grabitja me armë ndodhë për shumë arsye, por më kryesorja: dëshira për të fituar shpejt dhe shumë. E banka, është sinonim i vetë parasë! Ja aty ka, ja askund tjetër! Historikisht ka pasur gjithmonë grupe të dhunshme që kanë përdorur forcën, gurin, sëpatën, thikën, shigjetën, armën etj., për t’i marrë diçka të tjerëve si dobi pasurore.
Mirëpo, në formën e grabitjes së armatosur në banka, statistikat botërore gjatë leximit na thonë se, grabitjet e armatosura në banka janë regjistruar për herë të parë në SHBA dhe Australi në pjesën e dytë të shekullit XIX, por është shpeshtuar sidomos pas zhvillimit të kinematografisë, ku heroi grabitës bëhet ikonë sidomos e të rinjve, duke e kthyer në një ‘kriminel profesionist’, por edhe personazh prestigji shoqëror.
Nëse ju rriteni me filma aksion apo me video-lojëra të dhunshme, ku ju në këto lojëra digjitale përdorni forcën për të grabitur të tjerët, qoftë duke i plagosur apo vrarë, natyrisht se kjo nuk vjen nga qielli, por nga roli dhe imitimi i personazheve të masmedieve, video-lojërave agresive, filmave që portretizojnë heroin grabitës si të shkathtë, inteligjent etj. Grabitja me armë në banka nuk është fenomen i panjohur në botë. Vetëm ta kujtojmë “rastin e grabitësit Gugasian”, i cili pas Luftës së Dytë Botërore u bë famëkeq në SHBA me grabitjen e dhjetrave bankave për shumë vjet.
Mund të ndodh edhe për një arsye tjetër: “vetëvrasje përmes policisë”. Është i njohur si fenomen, kur personat që duan vetëvrasje por nuk e bëjnë me dorën e tyre, e sjellin situatën deri në atë pikë (nuk i përgjigjen thirrjes për dorëzim dhe me qëllim e provokojnë policinë, sa t’i gjuajë policia për vdekje).Grabitësit e kanë ditur që në fillim se do të ballafaqohen ndoshta edhe me vdekje, por megjithatë ia kanë mësyer bankës!
Ose në rastin kosovar, kanë menduar se do të kalojnë më lehtë se në Prishtinë, me indiferencë nga policia e kalimtarët dhe ia kanë mësyer bankës! Një autor thotë për grabitjen me armë, se kjo mund të bëhet për të fituar shumë para, por më pas mund të ndodhë që arsyeja e këtyre parave është për të blerë edhe drogë. Sidoqoftë, ka shumë arsye pse ndodh dhe shumë arsye çfarë duan grabitësit të përfitojnë nga kjo sjellje. Ka shumë të rinj grabitës që e bëjnë këtë për prestigj dhe për vëmendje sociale, për t’u bërë të famshëm, pavarësisht se do të mbesin persona famëkeq, por me rëndësi për diçka të madhe të mbesin të njohur!
KOSOVA POST: Në cilat shoqëri është praktikë më e njohur grabitja e armatosur?
Rudaku: Nuk mund të stereotipizojmë, por bazuar në statistikat e deritashme të krimeve si grabitje e armatosur në banka dhe mbështetur nga lajmet botërore që i kemi dëgjuar, vendin e parë e zënë Amerika Latine dhe Amerika Veriore, një pjesë e shteteve afrikane dhe ca vende evropiane.
Aty ku zhvillohet më shumë Hollivudi, ku ka vrasje dhe të shtëna më të shpeshta në masë, të shoqëruara nga përdorimi masiv i armëve dhe legalizimi i lehtë i vetëmbrojtjes, si në SHBA; aty ku ka varfëri e papunësi të madhe, e shoqëruar nga sisteme politike autoritariste, puçiste, me sundim të dobët të ligjit dhe fuqizim të kartelave të drogës e mafisë, si në shumë shtete të Amerikës Latine. As Evropa nuk është imune ndaj tyre. Shoqëritë ku krijojnë modele të këqija të fitimit të parasë me çdo kusht, me çdo mjet, po ashtu janë më të përshtatshme për të tilla sjellje devijante penale.
Në shoqërinë kosovare, shpesh me shaka apo pa të, njeriu që fiton pasurinë, vlerësohet lart, pa pyetur se si e qysh e ka fituar. Shtoja këtu tolerancën e madhe të drejtësisë ndaj rasteve të rënda. Shumica e gjykatësve në Kosovë ecin lirshëm dhe pa frikë, ndonëse janë me gjasa më të kërcënuarit nëse japin dënime të rënda! Pra, ka pasur tolerancë të madhe ndaj kriminelëve, duke gjetur format më të buta të dënimit, lirimit me kusht etj. Prandaj, ky lloj mjedisi e stimulon grabitjen e armatosur. Në Kosovë, duke u bazuar në varfërinë, papunësinë, punën e paguar keq, pasigurinë në vendin e punës, mungesën e sigurimit shëndetësor, potencialin e madh për ikje jashtë vendit, vetëm e bëjnë vendin tonë ‘truall pjellor’ të grabitjeve me apo pa armë.
KOSOVA POST: Po cilat janë disa nga veçoritë e kontekstit shoqëror kosovar në rastin e fundit tragjik në Kosovë?
Rudaku: Pabarazia e thellë sociale, sundimi i dobët i ligjit, drejtësia selektive (të rangut të lartë dënohen me kusht, e të dobëtit në aspektin e prestigjit social dhe ekonomik, dënohen shumëfish!), toleranca paraprake ndaj sjelljeve të tilla sikurse ishte rasti i mëhershëm në Prishtinë; shkalla e profesionalizmit ndërhyrës nga policia (shpejtësia, mënyra e qasja e reagimit); zbatimi i drejtësisë (me dënime meritore) dhe qasjeve risocializuese me psikologë, sociologë etj. Bazuar në informacionet e deritashme, grabitësi i armatosur dhe i vrarë, ishte recidivist, pasi kishte kryer vepër të mëhershme penale. E dhënë tjetër me rëndësi është rikthimi i tij në Kosovë.
Në aspektin sociologjik, kjo është ndër alarmet më të mëdha, për të kuptuar se sa shumë sfida kanë të rikthyerit pas migrimit legal apo ilegal, pasi nuk mund të integrohen në mënyrë të suksesshme në shoqëri. Kanë stres dhe probleme në integrim profesional, në vendin e punës, në komunitet. Qasja e deritashme ndaj të riatdhesuarve ka qenë e dobët nga shteti dhe institucionet përkatëse. Kanë qenë disa grante për të riatdhesuarit për biznese të vogla, por nuk kanë mjaftuar dhe po ashtu ka pasur procedura me shumë kritere për të përfituar nga to. Pastaj afatet e shkurtra për të riatdhesuarit etj. Kosova ka qasje të dobët të risocializimit, sidomos të sapo kthyerve nga Perëndimi, e ku një pjesë e vogël e tyre mund të kthehen edhe me forcë, me një sfond kriminal. Këta ose kanë vuajtur atje dënimin, apo janë zënë dhe janë dërguar për ta vuajtur dënimin në burgjet e Kosovës.
Përdorimi i armëve në masë të gjerë, portretizimi i armës edhe si traditë e qejf, janë kushte shtesë për depërtimin më të lehtë të grabitjes me armë. Ka edhe faktorë të tjerë, të cilët mund të nxisin sjellje të ngjashme si: shfrytëzimi masiv i internetit dhe video-lojërat pa edukim të mirëfilltë mediatik nga të rinjtë, vazhdimi i papunësisë, varfërisë, përdorimi në rritje i drogave të ndryshme nga të rinjtë etj.
KOSOVA POST: Si duhet të dënohet grabitja e armatosur me pasoja në njerëz?
Rudaku: Juridikisht, njihet si vepër e rëndë penale, veçanërisht për shkak se ishte grabitje me armë, me pasoja vdekjeprurëse dhe traumatizim të rëndë të punonjësve të bankës si viktima. Shumica e shteteve e kanë të rregulluar me dënim maksimal për këtë shkelje, por me detaje të stërtheksuara ligjore si: nëse grabitja me armë ka ndodhur vetë apo në mënyrë të organizuar (dënimi më i rëndë në të dytën); nëse grabitja me armë ka pasur vetëm humbje financiare, apo edhe lëndime serioze trupore të viktimave a vdekje (dënimi më i rëndë në të dytën); nëse ka dështuar apo jo në grabitjen e armatosur (shumë vende e konsiderojnë të barazvlefshëm si dështimin apo suksesin e një grabitjeje të armatosur, sepse shkaktojnë frikë dhe trauma te viktimat, por edhe te publiku); mosha e grabitësve etj.
Në shumicën e shteteve është dënim me burgim të përjetshëm ose më së shumti me 20 vjet. Kodi Penal i Kosovës, herë e përcakton një vepër si “vjedhje grabitqare”, herë vetëm si “grabitja”. Në rastin e fundit konkret dhe tragjik që ndodhi në Kosovë, vepra do të mund të hyjë sidomos në Nenin 329 – Grabitja, ku thuhet se “kushdo që me përdorim të forcës apo kanosje serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, e përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë me qëllim që t’i sjellë vetes apo personit tjetër dobi pasurore të kundërligjshme, kur vepra penale rezulton me vdekje, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej së paku dhjetë (10) vjet ose me burgim të përjetshëm.” Por Kodi nuk është i qartë edhe për këtë rast, pasi që grabitësi është vrarë dhe tash pritet vetëm gjykimi ndaj atyre që e ndihmuan. Shtetet demokratike e kanë tejhumanizuar edhe qasjen ndaj viktimave, edhe ndaj kriminelëve, por natyrisht duke përdorur dëmshpërblimin për viktimën dhe dënimin për kriminelin!
KOSOVA POST: Cilat janë masat që duhet ndërmarrë që rastet e grabitjeve të armatosura të mos përsëriten?
Rudaku: Rritje e barazisë sociale dhe ekonomike; reduktim i varfërisë, papunësisë dhe punës së paguar keq; arsim cilësor; kthim të shpresës dhe besimit se mund të jetohet mirë edhe në Kosovë dhe pa sfida të kthimit e rikthimit me dëshirë apo forcë; rritje të modeleve në shoqëri se fitohet veç me ‘djersë’, veç me punë dhe nuk fitohet shpejt e lehtë; largimi nga mediet të profileve ‘heroike’ të gangsterëve, veç pse ka klikime dhe gjatë raportimeve, të mos shfaqin pamjet e personave grabitës se si e kryejnë aksionin në detaje, sepse nxisin imitimin total për protagonizëm; mund të fitohet edhe pa vjedhur, edhe pa u korruptuar, edhe pa u bërë biznesmen me zor etj.; sundim i ligjit, sundim i vlerave demokratike në shoqëri, ku nuk normalizohet as vjedhja industriale e votave, as plagjiatuara, as kopjimi në provime; edukimi mediatik i të rinjve se, nuk është jeta si në filmat aksion dhe video-lojëra; monitorimin e fëmijëve në video-lojëra dhe filma me përmbajtje agresive; sigurim shëndetësor dhe jetësor për policët dhe familjen e tij të ngushtë pas vdekjes; sigurimin fizik të gjyqtarëve dhe ndalimin e ndërhyrjes nga politika dhe bizneset e forta etj. Mos të harrojmë një gjë: Holanda dhe disa vende skandinave po bien me numër të burgjeve, që do të thotë se burgjet nuk janë të ndikuara nga gjenetika, por sidomos nga mjedisi i jashtëm dhe pabarazia sociale e ekonomike. Prandaj, në këtë kuptim, më së shumti dhembje për viktimat, por edhe kriminelët janë viktima të një sistemi vleror, ekonomik, social e kulturor, mjaft të brishtë!
Me një fjalë, si viktimat, si kriminelët janë viktima të një sistemi të dobët shtetëror, ekonomik, kulturor e vleror. Por deri atëherë, s’kemi mekanizma të tjerë, por veçse të mbrojmë viktimën dhe ta dënojmë kriminelin. Në rastin e fundit tragjik, banka duhet t’ia jep pensionin e përjetshëm punëtorëve viktima dhe t’ia paguajë të gjitha shërbimet e shëndetit mendor, për të reduktuar traumat që janë të rënda në situata të tilla. Ndërsa gjykata, ta kryejë punën profesionale në ndarjen e dënimit maksimal./Kosova Post/