Kosova është shndërruar në çerdhe të grabitësve muajt e fundit. Grabitjet me armë kanë terrorizuar punonjësit dhe klientët e bankave dhe të marketeve. Gjatë javës që lamë pas, gjatë përpjekjeve për të plaçkitur një bankë në Istog, një i dyshuar për grabitje dhe një polic i Kosovës humbën jetën gjatë një përplasjeje me arë. Një ditë më pas grabitësit e maskuar grabitën një bankë në Fushë Kosovë, derisa gjatë ditëve në vijim për çdo ditë është evidentuar plaçkitje e armatosur kryesisht nëpër qendra tregtare në Prishtinë, por edhe në qytetet tjera të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, gjatë 11 muajve të parë të vitit 2017 javë evidentuar 263 raste të grabitjeve, shkruan Gazeta “Zëri”.
Eksperti i çështjeve të sigurisë në vend, Avni Islami, ka vlerësuar se veprimet që Policia e Kosovës i ka marrë në parandalimin e veprës penale të “Grabitjes” nuk kanë qenë adekuate.
Sipas tij, mekanizmat e drejtësisë nuk janë duke kryer punën e tyre siç duhet.
“Duket se viti 2018 është kulminacioni për grabitje. Nga kryerja e këtyre veprave siç duket institucionet e sigurisë janë zënë në befasi. Nuk kanë qenë veprimet e Policisë adekuate që të parandalohen këto plaçkitje të shkallës së rëndë. Mosfunksionimi sa duhet i institucioneve të sigurisë ka bërë që të kryhen një varg i grabitjeve që janë përcjellë edhe me vrasje. Mekanizmat e drejtësisë duke filluar nga Policia, Prokuroria dhe Gjykata nuk janë duke kryer punën siç duhet ose janë duke e neglizhuar atë”, ka thënë ai.
Islami ka thënë se përdorimi i armëve gjatë plaçkitjeve po rrezikon edhe jetën e qytetarëve.
“Përdorimi i armëve shkakton rrezikim të jetës së qytetarëve, por edhe të punonjësve. Unë mendoj që sistemi i drejtësisë duhet të ndërmarrë masa në mënyrë që të parandalohen dhe të mos ndodhin plaçkitje të cilat po përcillen edhe me vrasje”, ka thënë ai.