Kamenica po zbrazet dita-ditës. Të rinjtë e kësaj komune kanë filluar të marrin rrugën jashtë vendit, për të punuar. Shumica e tyre janë nisur drejt Kroacisë, e të tjerët në shtete të tjera. Këtë mundësi po ua ofron një zyrë që është hapur rishtazi në këtë qytet, zyrtarë të së cilës po i informojnë qytetarët për kushtet e punës. Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar sot atje dhe ju sjell rrëfimin e qytetarëve dhe të personit i cili po i dërgon ata në Kroaci
Para dyerve një kioskë e vogël në qendër të qytetit të Kamenicës mbante një reklamë të një floktari. Por, funksioni i kësaj kioske nuk ishte të kryente prerje flokësh. Zyrtarët që gjendeshin brenda saj kishin mision tjetër. Ofronin viza pune për në Kroaci.
E interesimi i qytetarëve për ato viza ishte i madh. Me dhjetëra të rinj të mërkurën në mesditë pritnin në radhë për t’u futur brenda kioskës, duke marrë kështu informacionet e nevojshme që do t’i mundësonin atyre udhëtimin për në Kroaci.
Gazeta Express, të mërkurën ka qëndruar në atë kioskë.
Një person i rreth të 40-ve u jepte këshilla qytetarëve, kryesisht nga rajoni i Kamenicës dhe Gjilanit, se si të aplikonin për të marrë një vizë pune në Kroaci.
100 euro kushton aplikimi për vizë në zyrën e këtij personi. Ndërkohë aty do të pritej deri në 40 ditë maksimumi për termin në ambasadën e Kroacisë.
E nëse viza e punës lëshohet nga ana e ambasadës së Kroacisë, aplikuesi do të duhet që t’i paguajë edhe 400 euro për disa procedura të tjera.
Krejt çka duhet për aplikim është një kopje e pasaportës si dhe një fotografi e formatit të vizës kroate e të cilat dorëzohen në këtë zyrë.
“Unë ju garantoj që vizë keni me marrë secili pas aplikimit këtu. Nëse nuk merrni vizë unë paratë ua kthejë. Por vizën ua garantojë vetëm nëse s’keni problem me shtetin, aty nuk kam se çfarë të bëjë”, u thoshte qytetarëve të cilët qëndronin në atë zyrë personi i cili thoshte se po i dërgon të rinjtë jashtë Kosovës për të punuar.
Profesionet më të kërkuara janë si moler dhe saldues në disa prej qyteteve më të mëdha të Kroacisë. E rroga varionte prej 1 mijë deri në 1 mijë e 500 euro në muaj për person me kontratë një vjeçare.
Të gjithë këta të rijnë po udhëtojnë me viza të rregullta pune për në Kroaci.
E largimi nga Kosova është shumë i vështirë për këtë të ri nga Kamenica.“I paguj edhe 1 mijë euro nëse është nevoja, veç le të ma bëjnë vizën” u thoshte qytetarëve që prisnin aty një i ri nga ky qytet.
E Rexhep Morina po pyeste për kushtet e aplikimit për djalin e tij. Ai tregoi për gazetën se me me kontratë të rregullt të punës djali i tij po dëshiron që të udhëtojë për në Kroaci.
“Këta po japin kontrata të rregullta të punës. Djali po don me shku, le të shkojë”, tha Rexhepi.
Rrugën drejtë Kroacisë e mori edhe Shaip Leci, qytetar nga Gjilani.
“Unë kam pas firmë private, mirëpo atje e kam gjetë vetën ma mirë. Ka kërkesa të mëdha për punë atje diku 8000 veta kërkohen ia vlen me shku me provu atje”.
Ndërkohë që për policinë, personi që po i dërgon këta të rinj jashtë Kosovës, këtë punë po e bënë në procedurë të rregullt. Nga policia thonë se nuk kanë nisur asnjë hetim rreth kësaj veprimtarie.
“Ne si polici ende nuk kemi nisur hetime. Sa kemi informacione, veprimtaria aty po zhvillohet në procedurë të rregullt”, ka thënë për Express, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ndryshe, për çdo vit nga vendi më i varfër në rajon largohen afër 10 mijë banorë. Por, vitin e kaluar kjo shifër është rritur edhe më shumë.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përmbledhura në raportin “Vlerësimi i popullsisë 2017”, numri i atyre që e kanë lëshuar Kosovën gjatë vitit të kaluar është 11 mijë e 263 persona, shkruan Gazeta Express
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2017 është vlerësuar të jetë gjithsej 11,263 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thotë raporti i ASK-së.
Pjesa më e madhe e atyre që u larguan nga Kosova për vitin 2017, ishin emigrantë legal. Ndërsa arsyeja e emigrimit ishte kryesisht për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtetet fqinjë).