Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj grevës së SBASHK-ut.
KMDLNj thotë se mbron të drejtën e organizimit sindikalist dhe grevën si mundësi për arritjen e qëllimeve për përmirësimin e kushteve të punëtorëve të arsimit, në rast se shterren të gjitha mundësitë tjera e që mund të realizohen përmes dialogut me autoritetet përgjegjëse, në rastin konkret me MASHT-in dhe Qeverinë e Kosovës.
Megjithatë, KMDLNj, vlerëson se nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e dialogut dhe se greva do të prodhojë efekte negative sidomos për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si edhe për personelin arsimorë (mësimdhënësit) sikur edhe për prindërit.
“Kërcënimi i SBASHK-ut se kjo grevë mund të zgjasë për muaj të tërë nënkupton se ky vit shkollorë mund të jetë i humbur për nxënësit e që do të ishte dëm i madh dhe i pariparueshëm për nxënësit. Kërkesa për grevë që mund të zgjasë për muaj të tërë, në fakt është përpjekje të legalizohet kushtëzimi për arritjen e qëllimeve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.